E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëndë helmuese në shkollë të mesme, sëmuren katër vetë

Tre nxënës dhe një mësues janë helmuar në një shkollë të mesme në Kurbin. Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme të fshatit Gore, ku duket se shkaktare ka qenë një qeskë plastmasi, që brenda përmbante lëndë helmuese. Pas përhapjes së saj në ajër, të katër personat kanë ndjerë shqetësime, si dhimbje koke, e turbullime. Nisur nga këto simptoma u mendua se në ambientet e kësaj shkolle mos ishte hedhur ndonjë lëndë helmuese. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, ku mori masat e para në lidhje me këtë rrezik. Ndaj tre nxënësve dhe mësueses është dhënë menjëherë ndihma e parë, ku ata janë transportuar në spitalin e Laçit.

Rreth rojës 11:30 të ditës së djeshme, tre nxënës kanë vërejtur në ambientet e shkollës së tyre një qese plastmasi, e cila përmbante diçka brenda. Të nxitur nga kureshtja, ata kanë hapur qesen e plastmasit me mbishkrimin “Kardpond” të prodhimit kinez. Lënda është përhapur në ajër dhe ka dhënë efektin e parë ndaj tre nxënësve. Aty është afruar edhe një mësuese e shkollës, e cila gjithashtu ka nisur të vuajë pasojat e kësaj lënde. Të dëmtuarit janë Rake Vata, 57 vjeç, mësuese në këtë shkollë, dhe tre nxënësit e tjerë, Esmeralda Vuthi, Rudina Vata dhe Diana Ndoj, të gjithë nga 18 vjeç, të cilët patën dhimbje koke dhe turbullime. Ndaj tyre është dhënë ndihma e parë, ndërsa është lajmëruar edhe policia e Lezhës. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë izoluar zonën dhe kanë marrë masat e para në lidhje me këtë situatë. Fillimisht uniformat blu kanë menduar se në këtë shkollë ishte hedhur lëndë helmuese.

Më pas ata janë afruar tek qesja e plastmasit ku kanë parë se në të kishte një paralajmërim të shkruar në italisht, që udhëzonte që “mos të prekej qesja” dhe “mos të hapej se ka efekt turbullues”. Të dëmtuarit u dërguan në spitalin civil të Laçit, për të marrë ndihmën e parë. Më pas ata u transportuan për një mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas burimeve spitalore, gjendja e të sëmurëve tashmë është stabilizuar dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ngritur një grup hetimor për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe arsyet e vendndodhjes së qeses me lëndë helmuese afër shkollës së mesme të fshatit Gore.

Laç, gjen vdekjen 42-vjeçarja, vetëhelmohet

Një 42-vjeçare ka humbur jetën pasi është vetëhelmuar në Laç. Nga hetimet e para të policisë rezulton se viktima Flutura Rrapushi ndërmori këtë veprim si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomiko-financiare. Edhe pse ndaj saj është dhënë ndihma e parë mjekësore, 42-vjeçarja nuk ka shpëtuar dot nga vdekja. Policia ka shkuar në vendngjarje, ku ka nisur menjëherë hetimet. Po ashtu, është bërë vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor dhe pritet akti i ekspertimit me mendimin e specialistit përkatës. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për ndjekje të mëtejshme, vazhdon puna për përcaktimin e plotë të rrethanave e fakteve në lidhje me këtë ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›