Spitali Nënë Tereza human vetëm me administratën
QSUT ka administratë me personel 2-fishin nga sa kishte 4 vjet më parë. Pacientëve u mungon gjithçkaAdministrata e mbifryrë me personel që duket se jo vetëm që nuk kanë lidhje me shëndetësinë, por vendet e punës i kanë zënë mbi kriterin e mikut dhe jo të aftësive profesionale. E ndërsa pacientëve iu mungon çdo gjë në spital, përveç ndihmës së bluzave të bardha administrata gëzon “shëndet të plotë” me personel që askush nuk e di se kujt i shërben. Problemin e shtimit të personelit në mënyrë të ekzagjeruar e kanë prej kohësh shefat e shërbimit dhe sindikata e mjekëve të QSUT-së. Ndërkohë edhe vetë drejtoresha e QSUT-së para dy ditësh pohoi se ky spital ka një administratë të fryrë me personel. “Nga vlerësimet paraprake të strukturës ekzistuese në numrin total të punonjësve është vënë re një tejkalim i numrit të tyre, me rreth 140 veta. Për këtë është njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe po punohet me intensitet për ta kaluar këtë situatë anomalie të konstatuar në ditët e para të shtatorit”,- pohon Kuli. Ndërsa ish-drejtori i QSUT-së, Mihal Tase, pohoi për gazetën se para 4 vjetësh në kohën kur ai drejtonte këtë spital numri i personelit të administratës ishte 2-fish më i vogël se administrata aktuale. “Për mendimin tim problemi nuk qëndron vetëm tek numri i personave që punojnë aty, por tek cilësia dhe aftësitë e atyre peronave që kanë zënë karrigen në administratë’, - pohon Mihal Tase, duke shtuar se ky spital pret mijëra pacientë, ndaj dhe kërkon një administrim sa më të kujdesshëm dhe cilësor. E ndërsa tashmë fakt është numri i lartë i personelit në administratë ende nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare se çfarë do të bëhet me personat që punojnë aty dhe aq më tepër me ata që kontributin e tyre e tregojnë vetëm duke marrë rrogat.