E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, avokati refuzon gjyqtaren

Tiranë- Çështja gjyqësore në ngarkim të akuzuarve të bandës së Lushnjës ka përfunduar me një konflikt mes avokatit dhe gjyqtares sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokati Vdadimir Meqe ka akuzuar gjyqtaren Marsela Balili për njëanshmëri në proçes.

Ai e konsideroi të padrejtë vendimin e Balilit për të lexuar dëshminë e dhënë nga pesë dëshmitarë në ambasadën tonë në Athinë. “Gramoz Selmani është person në kërkim për vrasje dhe nuk mund t’i besohet nje deklarate që siç pretendon akuza është bërë në ambasadën tone në Greqi”, u shpreh avokati.

Pas debateve, avokatët mbrojtës kërkuan ndryshimin e trupit gjykues pasi sipas tyre te gjitha vendimet janë të njëanëshme dhe në favor të prokurorëve. Avokati Meqe ka lënë sallën e gjyqit i irrituar me drejtimin e seancës nga gjyqtarja Marsela Balili.

Në procesin e Bandës së Lushnjes janë të pandehur 7 persona mbi të cilët rëndon akuza e kryerjes së një sërë veprash penale të kryera vite me parë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të 2007-ës, por për një vit me radhë gjykata ka shtyrë seancat për arsye te mungesës së avokatëve si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i të pandehurve të ish- bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›