E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE-institucioneve: Paguani borxhet ndaj OSSH

Institucionet shtetërore janë debitorët më të mëdhenj ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Por nuk do të kenë më shanse të jenë të tillë pas privatizimit të këtij sektori. Ato rrezikojnë të mbeten në terr të plotë nëse nuk kryejnë pagesat. Thirrjen e ka bërë sot kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të shlyejnë borxhet përpara se OSSH-ja të privatizohet, në të kundërt rrezikojnë të mos furnizohen me energji elektrike. “S’ka tolerime pasi privati ua ndërpret energjinëse nëse ata nuk i paguajnë faturat një muaj”, u shpreh Nepravishta.

Gjatë një deklarate për shtyp ai u kërkoi të gjithë instuticione shtetërore dhe private të jenë korrekt me pagesat. Por institucionet shtetërore mësohet se janë debitorët më të mëdhenj në vend.

Vetëm Ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve i kanë 200 milion lekë borxh OSSH-së. Kompania çeke “Cez” ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe pritet të nisë punën në fillim të vitit 2009. Kështu institucioneve borxhlie iu mbeten vetëm pak kohë për t’i shlyer ato.

Sistemi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka qenë problematik gjatë viteve të fundit. Rrjeti i amortizuar si dhe arkëtimet e ulta e kanë çuar drejt rrënimit këtë sektor. Qeveria shqiptare e privatizoi OSSH, ndërsa mbeti shtetëror vetëm sistemi i prodhimit të energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›