Banda e Lushnjës, dëshmojnë hetuesit: Gramoz Selmani na telefonoi nga Greqia
Procesi ndaj bandave të Lushnjës ka vijuar dje me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja. Avokatët e të pandehurve kanë pyetur oficerët e policisë gjyqësore, Zigur Bizhga dhe Bujar Hoxha, të cilët kanë rënë në gjurmët e shtetasit Gramoz Selmani, i konsideruar si dëshmitar kyç nga akuza për këtë proces. Avokatët i kanë pyetur hetuesit për mënyrën sesi kanë rënë në dijeni për Gramoz Selmanin dhe kush ka urdhëruar pyetjen e tij në ambasadën shqiptare në Athinë, Greqi. Bujar Hoxha tha se ka qenë oficer i policisë gjyqësore pranë Krimeve të Rënda dhe në vitin 2005 është marrë me hetimet për Bandën e Lushnjës. “Për Bandën e Lushnjës ne kemi filluar hetimet në bazë të provave të ardhura për dosjet e pezulluara. Ne u vumë në lëvizje nga njerëz që kishin dijeni. Për krimet e kësaj bande kanë vënë në lëvizje disa struktura, përfshi edhe Krimet e Rënda”, tha Bujar Hoxha. Në lidhje me urdhrat që kishte marrë, Hoxha tha se nuk kanë marrë asnjë urdhër dhe kanë zbatuar ligjin. Ndërsa oficeri Zigur Bizhga tha se “ne u interesuam për Gramoz Selmanin, por ka qenë vetë Selmani ai që ka telefonuar dhe ka kërkuar të rrëfejë gjithë krimet e kësaj bande”.
#