E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e dëshpëruar e një babai: Mos më lini të vdes!

Burri 42 vjeç nuk ka para për operacionin e shpresës

Jeta e një 42-vjeçari nga fshati Podgorie i Korçës ndodhet në udhëkryq. Kudret Bollguri apelon për ndihmë nga shteti, pasi jeta e tij është në rrezik. Katër vjet më parë Kudreti iu nënshtrua një transplanti të palcës, për shkak se vuante nga sëmundja “Hodgkin”. Prej të paktën 10 vitesh ai lëngon në shtrat si pasojë e sëmundjes së ngjashme me leuceminë, ndërsa të ardhurat i mungojnë. Kudreti thotë se për transplantin e parë e ndihmuan miqtë dhe të afërmit për të përballuar shpenzimet, por tashmë në kushtet kur vetëm kura mujore e terapisë i kushton 4200 euro dhe kur mjekët i kanë dhënë shpresë për jetën në rast se kryen një tjetër transplant, 42-vjeçari, baba i një fëmije, duket se i ka humbur betejat me sëmundjen që e mundon. Analizat e fundit që ka kryer Kudreti në datën 13 prill të këtij viti, sipas vërtetimit mjekësor konfirmojnë se pacienti në këtë fazë sipas kontrollit mjekësor dhe biopsisë së palcës vuan nga sindroma e mielodiplastit. Sipas mjekëve grekë të spitalit të Selanikut ku Kudreti është trajtuar gjatë kësaj periudhe si pacient, ai duhet të gjejë një dhurues të përshtatshëm gjaku nga një i afërm për të kryer transplantimin e qelizave joaktive. Sipas Kudretit, dhuruese do të jenë motrat e tij, por ai nuk ka asnjë shans për të paguar një transplant të dytë që i kushton të paktën 35 mijë euro.

Për këtë arsye 42-vjeçari i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndihmë për t’i siguruar një operacion jashtë vendit për faktin se një ndërhyrje e tillë nuk mund të kryhet në spitalet tona, por sipas tij, ende nuk ka një përgjigje. “Kam dhjetë vjet që jam sëmurë. Kam bërë një herë transplant, por kjo më zgjati vetëm për katër vjet. Mjekët më kanë dhënë shpresë se mund të jetoj dhe kam nevojë për një ndihmë. Transplantin e parë e kreva me ndihmën e miqve, ndërsa tani unë jam i papunë për shkak të sëmundjes dhe nuk kam asnjë mundësi financiare që ta përballoj. As miqtë nuk mund të më përkrahin prapë.

Duke qenë se unë kam shpresa për të jetuar dhe kam një djalë të vogël jam munduar t’i kërkoj ministrisë që të më sigurojë një operacion jashtë vendit, por akoma s’kam një përgjigje se ç’do bëhet me fatin tim. Gjeta vetë dhuruesit që janë tri motrat e mia dhe po jetoj në kushte tepër të rënduara, pasi nuk e përballoj dot mbijetesën”, thotë duke psherëtirë 42-vjeçari.

Ndërsa lutet për ndihmë, Kudret Bollguri mbush sytë me lot. Ai mendon më shumë për fatin e djalit, që mund të mbetet jetim nëse ai nuk e përballon sëmundjen e rëndë. Sipas kontrollit klinik rezulton se 42-vjeçari nga ekzaminimi i përgjithshëm i gjakut ka pësuar trombopeni. Sëmundja e tij e çrregullimit të rruazave të gjakut ka bërë që për një fare kohe ai të mos lëvizë nga shtrati. Por edhe pse tani Kudreti është në gjendje të kryejë lëvizje, ai nuk largohet nga shtrati për shkak se sëmundja e tij është e rëndë. Të afërmit thonë se operacioni kushton shumë shtrenjtë dhe apeli i tyre shkon për të gjitha shoqatat dhe institucionet që kanë mundësi ta mbështesin Kudretin. “Nuk dua të vdes. Kam një fëmijë për të rritur dhe ende kam shpresë”, apelon i përlotur 42-vjeçari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›