Bandat e Durrësit, rrëfehet vrasja e Marsel Sotirit
Anëtarët e bandave të Durrësit kanë mobilizuar të gjithë familjarët për të eliminuar kundërshtarët në aktivitetet e paligjshme. Dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës kanë treguar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se Lulzim Berisha është ndihmuar nga bashkëshortja dhe e motra për të eliminuar shtetasin Marsel Sotiri. Megjithatë, edhe seanca e djeshme, e cila ka zgjatur plot gjashtë orë, nuk ka kaluar pa probleme, ku palët në proces janë përplasur për disa dëshmitarë. Prokuroria thirri pesë dëshmitarë, duke dashur të zbardhë ngjarjen e vitit 1997, ku u vra Marsel Sotiri dhe u mbajt peng një vajzë nga Skrapari me emrin Valbona J., e cila tashmë mban statusin e dëshmitares së drejtësisë.
I pari, që i është përgjigjur apelit të akuzës dhe gjykatës, ka qenë 81-vjeçari Xhemal Ago, i cili saktësoi se ka lidhje miqësie me Lulzim Berishën, pasi djali i tij është martuar me kushërirën e parë të të pandehurit. Dëshmitari tregoi se motra e Lulzim Berishës, e quajtur Luljeta, dhe gruaja e tij, e quajtur Valbona, kanë shkuar në shtëpinë e vajzës së tij Zhuljeta Fetahu, që e kishte bashkëshortin në Itali. Sipas 81-vjeçarit, familjarët e Berishës e kanë shfrytëzuar atë për të strehuar për një natë miqtë e tyre. “Luljeta me Bonën i thanë vajzës sime se donin shtëpinë për një natë për disa shokë nga Kosova, që të nesërmen do të iknin në Itali. Atë natë aty qëndroi edhe djali im me dy shoqet e veta. Të nesërmen mësova se ishte kryer një vrasje. Emrin e personit që ishte vrarë se di”, tha dëshmitari.
Dëshmitarja e dytë ishte shtetasja Nafije Domi, e cila në vitin 1997 ka pasur një shtëpi në afërsi të shinave të trenit. Këtë shtëpi e kishte ndërtuar për ta dhënë me qira për pushuesit. Sipas prokurorisë, në këtë shtëpi janë strehuar personat që vranë Marsel Sotirin. Dëshmitarja tregoi se një prej dhomave të shtëpisë ishte me pamje nga shinat e trenit. Akuza pretendon se në këtë shtëpi ka qenë e vendosur motra e Lulzim Berishës, prindërit e tij, dhe Valbona Jaho. “Valbona Jaho është përdorur nga pjesëtarët e bandës si karrem për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin”, deklaron akuza. Mësohet se autorët e vrasjes kanë përdorur edhe lokalin që ka qenë afër shtëpisë së Nafije Domit. Pronari i këtij lokali, shtetasi Skënder Meka, ka dëshmuar dje në gjykatë. Ai saktësoi se natën e krimit, në vitin 1997, ka qenë në punë në lokalin e tij. Dëshmitari tha se ka pasur disa persona, të cilët nuk i njihte, që kanë pirë dhe ka dëgjuar se ndodhi një vrasje. Në seancën e djeshme gjyqësore, organi i akuzës saktësoi se personat që morën me qira dhomën në afërsi të shinave të trenit u larguan menjëherë sapo ndodhi vrasja.
Në seancën e djeshme gjyqësore ka dëshmuar edhe Albert Strati, i cili në vitin 1999-2002 ka qenë inspektor i Shërbimit Informativ pranë Policisë së Durrësit. Prokuroria e ka pyetur në lidhje me një denoncim nga shtetasja Genta J., e cila ishte paraqitur te ky dëshmitar për të denoncuar pengmarrësit e motrës së saj Valbonës. Sipas Stratit, motra e saj, Genta, një vajzë e gjatë, me flokë të zeza, rreth 23 vjeç ishte paraqitur te Drejtoria e Policisë dhe nëpërmjet një kolegu kishte kërkuar takim. “Mua më erdhi një vajzë me emrin Genta dhe më tha se kishte ardhur 2-3 herë për të bërë kallëzim penal kundër Indrit Taullait dhe Klodian Saliut, por policia nuk e kishte pritur duke e përzënë. Ajo më takoi para Drejtorisë së Policisë dhe më tha se do të bënte kallëzim për këta persona. Por shtoi se kallëzimin do e bënte pas disa orësh, pasi kishte lënë takim me dy shtetas. Ajo iku dhe erdhi dy orë më vonë. Kur erdhi më tha se kishte bërë gabim që kishte dyshuar tek ata djem. Ajo më tha se ata djem ishin të mrekullueshëm dhe nuk e kishin marr peng dhe vrarë motrën e saj. Motra, më tha ajo, është gjallë. Kur unë e pyeta nëse e kishte parë apo takuar motrën ajo më tha s’ka rëndësi, por motra është gjallë”, tha Albert Strati. Sipas thënieve të dëshmitarit, Genta i kishte thënë se motrën e saj Valbonën e kishte marr peng grupi kriminal i Spitallës dhe i kishte deklaruar se do ta eliminonte, pasi kishte qenë dëshmitare në një vrasje.
#