Fule: Gjeni sa më shpejt zgjidhjen. Berisha: Vetëm sipas Kushtetutës
Ndërkombëtarët kanë avancuar në qëndrimin e tyre që është i qartë: nuk e pranojnë krizën e krijuar që po agravohet çdo ditë, ndaj kërkojnë zgjidhje të shpejtë përndryshe Shqipëria do të penalizohet. Ndërkaq, politika shqiptare nuk po reflekton dhe po jep deklarata nga “frëngjitë” përkatës. Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha ka tentuar të hapë një rrugë për zgjidhje, por varet a do të konsiderohet e tillë nga opozita. Kjo pasi vetëm pak orë nga deklarata e Kryeministrit, deputetët e Partisë Demokratike kanë sulmuar egërsisht deputetët që kanë hyrë në grevën e urisë.
FuleNjë deklaratë më e qartë pas asaj të ditës së martë ka ardhur nga Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili nga Prishtina ka lëshuar një paralajmërim dramatik. Fule, nga Prishtina, i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të gjejë një zgjidhje urgjente për krizën. Zyrtari i lartë europian ka paralajmëruar se situata aktuale në Shqipëri do të ndikojë në përgatitjen e opinionit për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
“Mendoj se BE dhe unë personalisht jemi shprehur shumë qartë për këtë çështje. Bëj thirrje te qeveria dhe opozita për përgjegjësinë e tyre të përbashkët, për një zgjidhje të bazuar te Kushtetuta dhe që të garantojë transparencën. Zgjidhja duhet të gjendet sa më shpejt, pasi do të ndikojë tek opinioni që po përgatit BE, nëse duhet të fillohen bisedimet me Shqipërinë”, ka pohuar Fule. Komisioneri ka shtuar se Shqipëria ka bërë shumë progrese në vitet e fundit, por ka nënvizuar se kriza do të ketë një ndikim negativ.
BerishaKryeministri shqiptar, Sali Berisha, ndërsa nuk ka folur direkt për grevën e urisë dje i ka kujtuar opozitës që mund të kërkojnë transparencën e zgjedhjeve edhe nëpërmjet marrjes së procesverbaleve si dokumente zyrtare. “Jam dëshmuar dhe dëshmoj i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore e transparencë të plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një shtet ligjor, disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për t’i bërë transparent çdo dokumenti, madje dhe me sekretet. Dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi”, tha Berisha.
KuvendiPjesa më kryesore e seancës së djeshme të Kuvendit i është kushtuar çështjes së grevës së urisë së deputetëve socialistë. Në pjesën e diskutimeve jashtë rendit të ditës kanë folur deputetët: Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit, Aldo Bumçi, Dashnor Sula, Albana Vokshi, Rajmonda Bulku, Gent Strazimiri, Arenca Trashani etj. Ministri i Arsimit ka qenë i moderuar në fjalimin e tij, por ka kundërshtuar veprimin e opozitës, i cili sipas tij synon të destabilizojë vendin. Ndërkohë, deputeti Bumçi duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve ka theksuar se Europa nuk e mbështet kauzën e grevës së urisë. Deputetja Bulku ka deklaruar se është kërcënuar me telefonata dhe sms nga gra që përkrahin të majtën. Ajo ka akuzuar Ramën se mban peng situatën. Por deputeti Strazimiri ka shkuar më tej duke theksuar se PD nuk duhet të jetë tolerante ndaj opozitës, pasi siç theksoi ai “Rama ka deklaruar se Shqipëria është një hale”.
#