Banda e Lushnjës, shtyhet tre muaj gjyqi i Aldo Bares
Ministria e Drejtësisë pengon zhvillimin e gjyqit në ngarkim të Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Gjyqi i planifikuar të fillonte dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, është shtyrë për një periudhë 3-mujore. Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka njoftuar se, shkak është bërë moszbatimi i letër-porosisë nga Ministria e Drejtësisë për të njoftuar të pandehurin që ndodhet i arrestuar në Ankara, rreth nisjes së procesit gjyqësor. I pandehuri i arrestuar në Turqi do të pyetet nëse është dakord që të gjykohet në mungesë, si dhe nëse dëshiron që të ketë mbrojtës apo jo. Me vendimin e saj Gjykata e Krimeve të Rënda i ka lënë edhe 3 muaj kohë Ministrisë së Drejtësisë për të ekzekutuar letër-porosinë. Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori dhe drejtuesi i "Bandës së Lushnjës", e cila akuzohet për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Shqipëri. Aktualisht, Aldo Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij në vendin tonë. Disa nga të pandehurit e kësaj bande tashmë janë dënuar nga drejtësia, ndërsa të tjerë, janë nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.