Vritet 20-vjeçari, pranga dy autorëve
Prangosen nga policia dy autorët e ekzekutimit të 20-vjeçarit Edison Janku. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 të së hënës, rreth 30 metra larg Komisariatit të policisë së Rrëshenit. Viktima ishte duke u kthyer nga puna si kamerier në një internet-kafe të qytetit, kur është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona. Pas nisjes së hetimeve, policia ka identifikuar dy autorë të mundshëm të ngjarjes dhe u vu në kërkim të tyre. Fillimisht në prangat e policisë ka rënë Amarildo Ndoi, i cili u prangos gjatë orëve të paradites, ndërkohë që vetëm disa orë më pas është arrestuar dhe autori i dytë, Tonin Biba. Burime nga policia thanë se u sekuestrua arma me të cilën u krye krimi, ndërsa mësohet se krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri banal mes autorëve dhe viktimës. Dyshohet se viktima Edison Jaku ka rrahur vëllain e Tonin Bibës, gjë që mesa duket nuk është falur nga Biba. Dyshohet se bashkë me mikun e tij, Amarildo Ndoin, ata e kanë zënë 20-vjeçarin dhe më pas e kanë ekzekutuar atë me armë zjarri.