E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy femra kundër Berishës dhe Dokles

Dy femra kanë fituar statusin e dëshmitareve të drejtësisë, në procesin ndaj organizatave kriminale të Durrësit, e cila po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda me 16 të pandehur, midis të cilëve Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle. Vajzat janë dëshmitare të disa vrasjeve të ndodhura në qytetin e Durrësit dhe kanë ndihmuar të pandehurit për të gjetur vendndodhjen e të shënjuarve për t‘u ekzekutuar. Ato kanë pranuar të bashkëpunojnë me organin e prokurorisë, duke treguar edhe torturat që kanë hequr nga disa pjesëtarë të bandës. Disa muaj më parë, antimafia italiane ka sjellë në një dosje dëshmi për pengmarrjen e vajzës me iniciale V.J. Pas izolimit vajza u trafikua në Itali dhe atje ka pranuar të rrëfejë torturat që ka kaluar. Sipas burimeve të gjykatës, vajza është mbajtur 18 muaj peng nga i pandehuri Indrit Taullai, ndërsa pas kërkesave të prokurorisë ka pranuar të bashkëpunojë për zbardhjen e vrasjeve.

Bashkëpunimi
Vajza me inicialet V.J u mbajt e izoluar për 18 muaj në një shtëpi në Durrës, nga anëtarët e bandës dhe më pas u trafikua për prostitucion në Itali. Ajo është ndër të parat femra që ka fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, duke ndihmuar akuzën me dëshminë e saj rrëqethëse. Dëshmia e vajzës së marrë peng është e ndarë në dy hetime. Ajo ka dëshmuar kundër shtetasit G.T., i cili po gjykohet në Durrës dhe ka dyshime se me anë të kërcënimeve e ka detyruar të shesë trupin e saj në rrugët e vendit fqinj. Vajza nga rrethi i Durrësit është marrë peng menjëherë pasi autoritetet shqiptare arrestuan njërin nga krerët e "bandës" së Durrësit, shtetasin Klodian Saliu. "Arrestimi i Klodian Saliut u bë në muajin shtator të vitit 2000, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘vrasjes me paramendim‘ në bashkëpunim të shtetasve Viron Curri dhe Arjan Paja, si dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri. Në vazhdim të hetimeve ndaj tij, Saliu u akuzua dhe për vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Nisur nga sa më sipër, i pandehuri Indrit Taullaj në bashkëpunim me të pandehurin Endrit Dokle, pas arrestimit të Saliut morën peng për një periudhë rreth 18 muaj, shtetasen me iniciale V.J. me qëllim që të shmangte dëshminë e saj para organeve kompetente, dëshmi kjo që do të rëndonte pozicionin e Saliut", thanë burimet nga gjykata, e cila do të thërrasë vajzën për dëshmi. Sipas të dhënave, mbajta peng dhe më pas trafikimi i saj për në Itali, ka bërë që pas deportimit të saj në Shqipëri nga autoritete italiane, vajza ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, kundrejt sigurisë së jetës së saj dhe pjesëtarëve të familjes, që tashmë janë marrë në ruajtje.

Dëshmia
Vajza me inicialet V.J. do të thirret për dëshmi shumë shpejt në seancat pasardhëse në procesin kundër organizatave kriminale të Durrësit. Ajo nuk është e vetmja bashkëpunëtore, pasi prokuroria dhe gjykata i kanë dhënë statusin e bashkëpunëtores edhe një femre tjetër me inicialet G.J, e cila ka ndihmuar një të pandehur për të gjetur një "hasëm" të bandave, i cili më pas, me ndihmën e vajzës, do të ekzekutohej. Duket se këto dy dëshmi dhe ajo e të penduarit Adriatik Coli, mund të vënë pas hekurave 16 pjesëtarë të cilësuar si anëtarë të bandave të Durrësit, të cilët kryesoheshin nga Indrit Dokle dhe Lulzim Berisha.

S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›