E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi pronarin e lokalit, pranga klientit 32-vjeçar

Arrestohet një person i kërkuar për tentativën e vrasjes ndaj një biznesmeni 32-vjeçar. Ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari Elton Fusha ka ndodhur në fund të gushtit të këtij viti, ku ka mbetur i plagosur pronari i një lokali, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e autorëve të tjerë të saj. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen ndalimin e shtetasit Elton Gani Fusha, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi më datë 27 gusht 2009, rreth orës 23:00, në rrugën "Sami Frashëri" në Tiranë, në ambientet e një lokali, dyshohet se në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë kanë qëlluar për motive të dobëta me armë zjarri 32-vjeçarin Edmond Përbibaj, banues në Tiranë. Ndaj tij, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhrin e ndalimit për konsumim të veprave penale të "Vrasjes me paramendim, e mbetur në tentativë" dhe "Prodhim e mbajtje të armëve luftarake e municioneve". Sipas policisë, 32-vjeçari ka qenë me shoqërinë e tij te një lokal, kur një nga klientët ka qëlluar me armë ndaj tij. Ai është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autor i plagosjes dyshohet të jetë Elton Fusha. I plagosuri Edmond Përbibaj është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore ka dhënë shpjegime për policinë. Sipas deklarimeve të të plagosurit, shkak ka qenë një konflikt mes autorit dhe të dëmtuarit, që ka ndodhur katër ditë përpara ngjarjes. Përbibaj ka deklaruar për policinë se personin që e ka qëlluar e njihte thjesht si fytyrë, si klient që shkonte vazhdimisht në lokal dhe se përpara katër ditësh ai i kishte kërkuar një shumë parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›