Gjykata e Apelit shtyn ekstradimin e Ilir Kumbaros
Gjykata e Shkallës së Dytë në Londër shtyu dje për në datë 11 nëntor 2009 seancën në të cilën do të shpallë vendimin mbi kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin në Tiranë të ish-agjentit të Shërbimit Informativ Shqiptar, Ilir Kumbaro. Seanca e djeshme është shtyrë në Shkallën e Dytë të Londrës, me kërkesë të avokatëve të ish-agjentit, Ilir Kumbaro. Ata i kërkuan panelit të gjykimit më tepër kohë para se të deklarojnë kundërshtimet e tyre para gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë për Ekstradimet në Londër ka miratuar disa muaj më parë kërkesën shqiptare për ekstradimin e ish-drejtorit të degës së parë të SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro. Avokatët e tij e apeluan këtë vendim në Shkallën e Dytë ku pritej shpallja e vendimit dje. Ilir Kumbaro akuzohet në Shqipëri si një nga urdhëruesit e rrëmbimit dhe torturimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Për rrëmbimin e biznesmenit nga punishtja e tij në Tiranë akuzohen edhe tre ish-zyrtarë të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. I vetmi që nuk është i pranishëm në gjyqin që po zhvillohet nga Krimet e Rënda në Tiranë ishte Ilir Kumbaro. Ai u arratis nga vendi në vitin 1996 dhe jetoi me azil politik në Angli derisa në vitin 2008 u zbulua se ai kishte falsifikuar identitetin, duke përdorur emrin Shaqa Shatri, identitet i një qytetari 60-vjeçar nga Kosova. Ilir Kumbaro sipas Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë ka qenë një nga urdhëruesit e operacionit sekret për ndalimin dhe marrjen në pyetje të Remzi Hoxhës, i cili është zhdukur pa gjurmë që prej orës 13:30 të 21 tetorit 1995 kur u rrëmbye në Tiranë.