E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria ka paraqitur në gjykatë dëshmitarët dhe 250 prova kundër 16 të pandehurve

Pas 91 seancash dhe duke u futur procesi gjyqësor në vitin e tretë, prokurorisë i është hapur rruga ligjore që të paraqesë në gjykatë dëshmitarët dhe provat kundër 16 të pandehurve të akuzuar për vrasje në bashkëpunim më shumë se një herë, të gjitha në grup të strukturuar kriminal. Prokuroria ka paraqitur para gjykatës 190 dëshmitarë si dhe do të paraqiten 257 prova shkresore dhe ekspertiza shkencore. Dëshmitarët, sipas prokurorisë, do të vërtetojnë provat e mbledhura për kryerjen e 8 vrasjeve, rrëmbimit të një femre për 18 muaj, 5 vrasjeve të mbetura në tentativë, mes të cilave edhe atentatet ndaj Lulzim Berishës.
Lista e dëshmitarëve kryesohet Adriatik Coli, i cili është në dëshmi e sipër dhe 5 dëshmitarëve që konsiderohen nga prokuroria si barra kryesore e provës për të pandehurit. Midis këtyre dëshmitarëve janë edhe dy femra, që janë marrë në mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë, të krijuar pranë Ministrisë së Brendshme. Mësohet se në listën e personave që do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve janë edhe disa biznesmenë të njohur të qytetit të Durrësit dhe persona me precedentë penalë, që janë gjykuar nga kjo gjykatë. Gjithashtu, listës së dëshmitarëve nuk i mungojnë edhe disa nga familjarët e të pandehurve. Sipas prokurorisë, 16 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të bandës së Durrësit janë drejtuar nga të arrestuarit Lulzim Berisha dhe Endrit Dokle, të ndarë në vitin 2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›