Kur je në krizë, nuk prekesh nga kriza
Edmond Panariti
Deklarata e Kryeministrit në forumin ekonomik në Davos të Zvicrës, se vendi i tij është i imunizuar nga kriza, me siguri që ka tërhequr vëmendjen e analistëve dhe politikanëve të pranishëm, për nga toni kategorik i saj. Në thelb kjo deklaratë përbën një "absurd autentik", nisur nga fakti se një krizë globale nuk mund të lerë pa e përfshirë Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Por në këtë rast, zoti Berisha na shfaqet edhe si një "Antiglobalist" i bindur, pikërisht ashtu siç ai i ka akuzuar dhe akuzon pa reshtur dhe pa u kursyer kundërshtarët e tij politikë.
Përpos kësaj, kjo deklaratë, mbart për ne edhe jehonën e një politike demagogjike dhe totalitare, të mbi 20 viteve më parë.
Më kujtohet se edhe atëherë në kulmin e krizës ekonomike, udhëheqja e asaj kohe paraqiste bilance suksesesh dhe arritjesh.
Dhjetë vite më pas, të njëjtën gjë bëri edhe vetë Kryeministri, kur na qetësoi dhe garantoi, se investimet tona në skemat piramidale ishin jo vetëm të sigurta por edhe "më të pastrat" e planetit.
Mjerisht në të dyja këto raste ne patëm shpërthime agresive të krizave, me pasoja rrënuese, ku rekordin absolut e mbajti kriza financiare e vitit 1997, e cila u shndërrua në tragjedi kombëtare për nga pasojat që ajo pati edhe në jetë njerëzore.
Këtë "pandjeshmëri" autarkike dhe autoritariste, për fat të keq e shohim të instaluar si një profeci të shprehjes biblike se: "Nuk ka më të verbër se ai që nuk do të shikojë dhe nuk ka më të shurdhër se ai që nuk do të dëgjojë".
Dhe në të vërtetë, nuk ka më verbëri se të mos duash të shohësh thellimin përditë e më shumë të gropës financiare të deficitit, e cila vitin që shkoi e kapërceu shifrën astronomike të 2 miliardë eurove.
Nuk ka më të verbër të mos shohësh se vitin që u mbyll, më shumë se gjysmë miliard euro, ose gati tre të katërtat e valutës që emigrantët tanë sjellin në Shqipëri, doli përsëri jashtë për blerjen e ushqimeve, për blerjen e specit, domates, kastravecit e madje edhe të barit për bagëtitë.
Paradoksalisht shpenzon valutë për fruta, vendi me klimën më ideale për kultivimin e tyre. Ble perime në Turqi, Maqedoni e deri në Kinë, vendi i cili në vitet 80-të, e niste eksportin e domateve që në fund të muajit prill.
Hemorragjia e pandalshme jashtë vendit e euros dhe e dollarit, po e rrëzon me "pikiatë" lekun tonë. Xhepat tonë zbrazen më shpejt, ushqimet shtrenjtohen dhe inflacioni rritet, por megjithatë ne nuk jemi në krizë, sepse kështu do qeveria.
Nuk jemi në krizë, paçka se spitalet nuk kanë barna për të sëmurët, nuk jemi në krizë megjithëse shkollat dhe kopshtet nuk kanë ngrohje, nuk jemi në krize edhe kur gjysma e Shqipërisë izolohet nga bora e akulli, nuk jemi në krizë edhe pa drita dhe ujë. Nuk kemi krizë edhe kur lundrojmë mbi ujëra të zeza, nuk kemi krizë kur ushqehemi me ushqime dhe pimë ujë të ndotur. Nuk kemi krizë kur na mohojnë vizat, kur na diskriminojnë e përçmojnë.
Nuk kemi krizë, edhe kur në mes të ditës na marrin jetën me shpërthime apokaliptike. Por ne nuk jemi vetëm të verbër por edhe të shurdhër, sepse nuk dëgjojmë ose bëjmë sikur nuk dëgjojmë edhe paralajmërimet për dhunim dhe shkelje të kushtetutës, bëjmë sikur nuk dëgjojmë edhe kur na akuzojnë për uzurpim të institucioneve të pavarura, sulme kundër medias dhe kufizimit të lirive.
Si përfundim, nga sa thamë më sipër, "qartësisht" sipas qeverisë ne nuk jemi në krizë. Nuk jemi në krizë, sepse në fakt të qenurit në krizë, te ne është kthyer prej kohësh në një mënyrë bashkëjetese. Për këtë arsye, kur je në krizë nuk ka se si të prekesh nga krizat.