Projektligj për vullnetarizmin
"Projektligji për Vullnetarizmin" është iniciativa më e fundit e institutit "IDEA", i cili ka si qëllim krijimin e një modeli për rininë shqiptare. Nëpërmjet këtij p/ligji të rinjtë e institutit synojnë vënien në lëvizje të kësaj energjie rinore, që nëpërmjet ndërgjegjësimit të tyre dhe duke u organizuar mund të gjejnë zgjidhje për problemet e përbashkëta, që i shqetësojnë, mund të marrin zhvillimin në duart e veta, si dhe të forcojnë lidhjet e komunitetit me qeveritë vendore. Ideja që kërkohet të përcillet përmes këtij projektligji, lidhet me shfrytëzimin e kësaj vlere njerëzore për të vënë në lëvizje burimet ekzistuese me qëllim uljen e varfërisë, shkollimin e të rinjve, përmirësimin e kushteve shëndetësore të banorëve dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik në përgjithësi. Sipas drejtuesve të "IDEA"-s, është pikërisht menaxhimi i mirë i burimeve ekzistuese faktori i rëndësishëm, që çon në një zhvillim të qëndrueshëm dhe progresiv.