G99 nis mbledhjen e 10 mijë firmave
Lëvizja G99 u formësua që dje në parti politike. Në një ceremoni me këtë rast, disa qindra anëtarë të G99 u njohën me statutin dhe e firmosën atë në prezencë të stafit noterial, duke u bërë kështu firmëtarët dhe aksionerët e Grupimit 99, grupim që tashmë shndërrohet në një subjekt politik zgjedhor. Pas regjistrimit në gjykatë, kjo parti do të duhet të grumbullojë 10 mijë firma nga qytetarët për të garuar në zgjedhjet e qershorit, pasi nuk ka asnjë deputet në Parlamentin aktual. Drejtuesi i G99, Erion Veliaj tha dje se "dita e sotme vetëm vazhdimi i asaj që filluam 6 muaj më parë, kur themeluam G99. Gjasat janë që këto 148 ditë do të jenë ditë jashtëzakonisht të vështira, do të jenë ditë jashtëzakonisht të ngarkuara. Ndryshe nga partitë e tjera ne nuk kemi të kaluarën e tyre". Veliaj tha se G99 do të rreshtohet me koalicionin e ndërtimit. "Ne jemi të qartë se sot ka vetëm dy koalicione: koalicioni i ndërtimit dhe ai i shkatërrimit. Të dy këta koalicione janë përtej së majtës dhe të djathtës", tha Veliaj.