"Banda e Lushnjës", tërhiqen shtatë dëshmitarët e vrasjes
Fatos Mahmutaj
"Nuk kam parë gjë. Nuk kam dëgjuar asgjë. Nuk di gjë". Benet Gjyla, dëshmitar i prokurorisë në procesin kundër të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Lushnjës" pohoi se nuk kishte parë asgjë nga momenti i vrasjes së shqiptaro-maqedonasit Xhevdet Demiri, megjithëse ndodhej në furgon në vendin e parë. "Isha në gjumë dhe nuk pashë gjë se çfarë kishte ndodhur në kryqëzimin e "Blerimit" në hyrje të Lushnjës. Vetëm ulërimat e gruas së Xhevdetit më zgjuan nga gjumi dhe pashë trupin e pajetë të tij përtokë", pohoi dje Benet Gjyla, dëshmia e të cilit u dëgjua për të dytën herë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për t'u ballafaquar me atë Arben Kicjes, dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë. Të dy këta dëshmitarë seancat e kaluar të procesit kanë dhënë dëshmi rreth vrasjes së tregtarit shqiptaro-maqedonas, Xhevdet Demiri më 3 gusht 1997, ngjarje për të cilën akuzohen: Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha. Ndërsa Arben Boriçi, nuk ka marrë pjesë direkt në ekzekutim, por i priste katër shokët e tij pak metra më poshtë, majtas, në një "Benz" të zi, me të cilin ata kishin ardhur. Kurse dëshmitari Benet Gjyla kishte udhëtuar nga plazhi i Divjakës drejt Lushnjës me furgonin e viktimës Demiri, me të cilin kishin qenë në plazh së bashku. Megjithëse ishte ulur në vendin parë të furgonit, Gjyla tha se ishte në gjumë të thellë dhe nuk kishte dëgjuar as fjalët që kishte shkëmbyer viktima Demiri me Aldo Baren dhe as krismat e kallashnikovit rreth 4 metër më tej. "Pas krimit u zgjova, nga ulërimat e Mimoza Demirit, bashkëshortes së viktimës, mësohet të ketë pohuar Gjyla te Krimet e Rënda. Ndërkohë dëshmitari tjetër, Arben Kicja thotë se Gjyla e ka parë të gjithë skenën e krimit, pasi ndodhej në sediljen e parë të mjetit. Seancën e djeshme të procesit ishte caktuar më parë që Kicja, i cili ka marrë statusin e dëshmitarit të drejtësisë, dhe që i është akorduar mbrojtje nga organet shtetërore, të ballafaqohej me dëshmitarin Lorenc Hajdari. Dëshmitë e tyre binin ndesh me njëra-tjetrën përsa i përket versionit të vrasjes së tregtarit Demiri. Hajdari pohon se Kicja nuk e ka parë krimin, ndërsa Kicja jep hollësi për mënyrën e vrasjes dhe autorët e saj. Duke parë kundërthëniet e dy dëshmitarëve, gjykata vendosi t'i ballafaqojë në seancë gjyqësore. Kështu dje, Kicja u shoqërua nga forcat speciale i maskuar si polic, ndërsa Hajdari u paraqit vetë në seancë gjyqësore. Më pas nëpërmjet videokonferencës të dy dëshmitarët përsëritën të njëjtat deklarata që kishin dhënë në seancat e mëparshme. Dëshmitë e tyre u administruan nga gjykata dhe iu bashkëngjitën fashikullit gjyqësor, ndërsa trupi gjykues pohoi se do të shprehet për vlerësimin e tyre në vendimin përfundimtar. Po dje gjykata pyeti edhe katër dëshmitarë të tjerë, të cilët dhanë shpjegime për një grindje midis anëtarëve të "Bandës së Lushnjës" me një bashkëqytetar të tyre, të cilit i kishin dhënë një lokal me qira dhe më pas ia kishin marrë sërish.