E Diel, 1 Nëntor 2026

Superstrada drejt Malit të Zi, dështon tenderi

Fondi prej 22 milionë euro për ndërtimin e superstradës që lidh veriun e Shqipërisë me Malin e Zi ka bërë që ky tender të dështojë. 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

 Firmat e interesuara për ndërtimin e superstradës Shkodër - Hani i Hotit tashmë janë tërhequr duke mos dhënë garanci për ndërtimin e 33 kilometra rrugë me këtë shumë. Ndonëse firmat ndërtuese janë tërhequr nga kjo vepër e rëndësishme, gjithçka ka kaluar në heshtje. Burime nga Bashkia e Koplikut, e cila është nga njësitë vendore më të interesuara për ndërtimin e këtij segmenti, bënë të ditur se shkak për dështimin e tenderit është largimi i firmave të huaja. Përfaqësuesit e tyre e kanë argumentuar veprimin me faktin se shuma e vënë në dispozicion është tepër e ulët për një investim të tillë. Fondi i dhënë nga qeveria italiane 10 vite më parë tashmë mbetet shumë i vogël, duke pasur parasysh se situata dhe çmimet që prej asaj periudhe kanë evoluar. Për ndërtimin e kësaj superstrade është folur që në vitin 2000, por procesi është shtyrë gjithmonë. Afati i fundit për përfundimin e tenderit ishte muaji shtator, i premtuar edhe nga Kryeministri Berisha. Burime nga vendorët në Malësinë e Madhe sqaruan se, akoma nuk është e qartë nëse segmenti do të jetë autostradë apo superstradë. Por ata konfirmuan se ndërtimi me parametra optimalë nuk mund të bëhet me vetëm 22 milionë euro. Kjo gjë është konsideruar e pamundur edhe nga firmat italiane në garën e tyre për ndërtimin e kësaj vepre si dhuratë e shtetit italian. Për më tepër, tanimë janë edhe dy “bay-pass” njëri në qendrën e Koplikut dhe tjetri në Bajzë, që shtojnë shumë edhe harxhimet. Po t’i shtosh edhe shpronësimit dhe ndryshimet e mëdha këto 10-të vitet e fundit, atëherë asnjë firmë nuk mund t’i afrohet një ndërtimi të tillë me këtë shumë parash. Ky tender dhe kjo rrugë, pengon edhe investimin e madh qindra milionësh të “Zonës Industriale” apo “Parkut Industrial”, që firmat dhe privatët italianë, do të kryejnë në Koplik. Rruga është edhe pengesa e tyre dhe jo fondet. Në Koplik thuhet se në këto kushte nuk mund të flitet për fillime të punimeve deri vitin tjetër dhe akoma më shumë po besohet se ky investim nuk po realizohet fare. Rruga Shkodër-Hani i Hotit lidh veriun e Shqipërisë me Malin e Zi dhe akoma më tej me vendet e rajonit dhe Evropës Qendrore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›