E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tersi për Kapllanin, koncerti i Madonës shtyn ndeshjen e Karlsruhes

 

Më shumë se i mërzitur e bëri udhëtimin e kthimit të tij në Gjermani sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani. Asnjë minutë në dy ndeshjet ndërkombëtare kundër Suedisë e Maltës, edhe pse kishte shënuar në miqësoren e fituar 2-0 kundër Lihteshtejnit. Por tersllëku i mosaktivizimit nuk iu nda as në Gjermani. “Do të luanim kundër Eintrahtit në Frankfurt për Bundesligën 1 në Gjermani, por ndeshja është shtyrë për shkak se fusha ishte dëmtuar nga koncerti që kishte zhvilluar aty Madona”, - tha sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani në linjë telefonike nga Gjermania. Koncerti i yllit të muzikës Madona, zhvilluar ditën e martë në stadiumin e Frankfurtit, ka prishur barin e fushës dhe kjo ka bërë që ndeshja midis skuadrave të Frankfurtit dhe Karlsruhes, e cila do të luhej të premten në mbrëmje, të shtyhet. Mirëpo me këtë vendim të gjyqtarit të takimit nuk ka qenë tërësisht dakort trajneri i skuadrës së Karlsruhes, Edmund Beker. “Ky vendim është një budallallëk, pasi kjo ndeshje mund të pezullohej që ditën e enjte e jo vetëm pak orë përpara fillimit të saj”, ka kritikuar kreu i pankinës së Karlsruhes, Edmund Beker, këtë vendim të marrë nga gjyqtari i takimit, Torsten Kinhëfer. Me Eintrahtin e Frankfurtit luan talenti kosovar Faton Toski, i konsideruar si Mikael Balaku i ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›