SHBA, reprezalje diplomatike kundër Venezuelës
Departamenti amerikan i Shtetit ka përzënë ambasadorin venezuelas nga Uashingtoni, Bernardo Alvarez. Vendimi është marrë si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së qeverisë venezuelase për të përzënë nga Karakasi ambasadorin amerikan. Ministri i Thesarit në Shtetet e Bashkuara, Henri Paulson, ka njoftuar mbi sanksione që do të merren kundër dy funksionarëve të lartë të qeverisë venezuelase, duke i akuzuar se kanë “ndihmuar materialisht” grupin ekstremist “Fark”. Kjo është konsideruar si një reprezalje e vërtetë diplomatike e Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës, presidenti i së cilës, Hugo Çavez, ka urdhëruar largimin nga territori i vendit të ambasadorit amerikan në Karakas, Patrik Dadi. Çavez, duke iu drejtuar amerikanëve si “jenkis m...”, njoftoi se i kishte dhënë Dadit 72 orë kohë që të linte vendin e tij, në shenjë solidariteti me presidentin e Bolivisë, Evo Morales, i cili dy ditë më parë kishte përzënë ambasadorin amerikan në La Paz, Filip Goldberg, me akuzat se po ndihmonte grupet autonomiste në rajonet verilindore të vendit. Sipas analistëve, kohët e fundit një numër gjithnjë më i madh i vendeve amerikano-latine kanë kaluar në mbështetje të retorikës anti-amerikane të Çavezit, pasi Uashingtoni e ka neglizhuar Amerikën Latine për një kohë të gjatë. Megjithatë, SHBA mbetet një partner i rëndësishëm tregtar i Amerikës Latine me ndikim të madh politik dhe donatori kryesor i ndihmave për këtë kontinent.