Sarah Pelin, modeli që gratë duan të ndjekin
Sarah Pelin, kandidatja republikane për zëvendëspresidencën është kthyer në një model femëror, dhe në këtë rast nuk i referohemi karakterit dinamik të saj, por pamjes së jashtme. E njohur me pseudonime të tjera si mama-hokej, gjahtare drerësh dhe ish-mbretëreshë bukurie, dashur padashur, Pelin duhet të ketë shumë kujdes mbi paraqitjen e saj në publik, pasi sytë e shumë femrave amerikane dhe më gjerë janë kthyer nga ajo. Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, një javë më parë një grua ka hyrë në një qendër optike në Londër dhe ka kërkuar për “syze Sarah Pelin”. Atë ditë okulisti as nuk e kishte idenë se çfarë modeli ishin syzet e Pelin. Por tani ai e di, dhe me sa duket e kanë mësuar edhe të gjithë okulistët e tjerë, pasi gruaja londineze nuk është më e vetmja që ka kërkuar t’i ngjajë Pelin, edhe në modelin e syzeve, modeli 704, nr. 3 gri të koleksionit “Kazuo Kawasaki”. Mjekja e një tjetër klinike në Londër, Rebeka St. Jean, tha se gjatë 11 viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë rast që syzet e një figure publike të tërhiqnin kaq shumë vëmendje. Pamja e saj është përshkrua si me klas dhe dinjitet. Agjencia “USA Today” ka raportuar se familja e guvernatores së Alaskës kanë zgjedhur modelin “Kawasaki” për t’u dukur “ndjekës të modës”. Syzet prodhohen nga një kompani japoneze, “Masunaga Optical Manufacturing Co.”, dhe çdo vit në treg ka 7.000 modele të tilla titaniumi. Okulistja St. Jean tha se skeleti i tyre kushton mes 300 deri në 600 dollarë. Por një version më pak i shpenzueshëm është i mundur për 150 në 200 dollarë, sqaroi ajo. Modeli i syzeve të Pelin është kthyer në modelin më popullor në të gjithë botën, pasi shumë femra e konsiderojnë si modelin më të bukur dhe më tërheqës të kohërave. Por mjekja ka kujtuar se “shumë njerëz duhet të kenë parasysh që syzet rrinë në fytyrën e tyre gjatë gjithë ditës. Por ato janë një mjet mjekësor dhe jo aksesor mode”. Amerika po e shikon me një sy tjetër Pelin gjatë kësaj jave. Tashmë ajo është ylli i ri i republikanëve. Kandidatja republikane për zëvendëspresidencën po bën modë me syzet, modelin e flokëve dhe po dominon titujt e gazetave dhe debatet televizive. Nuk mjafton kaq, imazhi i Sarah Pelin tashmë është përjetësuar në një kukull, një superheroinë e vogël plastike që shitet në internet. Këtë privilegj nuk e kanë fituar kaq shpejt as pop star-ët amerikanë. Deri pak ditë më parë guvernatorja e Alaskës ishte një figurë e panjohur në media dhe në politikën amerikane. Më pas Xhon Mekein e zgjodhi si bashkëgaruese. Ajo që mori Mekein në këmbim, sipas një komenti të CNN, ishte një nënë punëtore me gjuhë të mprehtë, e njohur për përkushtimin e saj mbi një qeveri të ndershme, Zotin dhe armët. Impakti i saj ka qenë i menjëhershëm te republikanët. Duke bërë një krahasim me Hilari Klinton, CNN komenton se asaj i janë dashur vite të tëra për të ndërtuar figurën e respektuar dhe mbështetësit e saj. Ndërsa Pelin, brenda një nate u kthye në një figurë të dashur të femrave amerikane. Për herë të parë që kur gara ka nisur prej më shumë se një viti e gjysmë, republikanët po dominojnë në sondazhe nga demokratët. Këshilltarët e Mekein kanë hequr dorë nga ideja për të dërguar vetëm senatorin në disa shtete për fushatë, pasi kanë vënë re se turma të mëdha njerëzish mblidhen në mitingje vetëm për të parë Sarën. Çdo gjë për Mekein duket më e lehtë tashmë. Sipas CNN, Obama tashmë duhet ta ketë mësuar mirë se garat kundër femrave duhet të kryhen në çdo hap me shumë kujdes.
Pelin dhe lufta
Sarah Pelin, bashkëgaruesja e kandidatit republikan për presidencën Xhon Mekein, tha një ditë më parë se SHBA do të jetë e detyruar të luftojë me Rusinë nëse ajo pushton një vend të NATO-s, një status i diskutueshëm për Gjeorgjinë, të cilën Rusia e pushtoi muajin e kaluar. Sarah Pelin, zgjedhja e së cilës është kritikuar nga demokratët dhe disa republikanë për mungesën e eksperiencës së saj në politikën e jashtme, ka dhënë intervistën e saj të parë të plotë për mediat në rrjetin ABC. Përgjigjja e saj, edhe pse mjaft e kontrolluar, pritet të hapë një debat të ri mbi qëndrimin apo largimin e saj afër presidencës amerikane.