E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët: Do regjistrojmë tokat tona në Greqi

 

VLORE – Çamët do të kërkojnë regjistrimin e tokave në Greqi. Kryetari i PDI-së, Tahir Nuredini, pohoi dje në një takim me komunitetin çam në Vlorë se do të përfitojnë nga një vendim i qeverisë greke për të rimarrë pronat. Sipas tij, kohët e fundit, qeveria e shtetit fqinj ka nxjerrë vendimin që ka të bëjë me regjistrimin e pasurisë së shtetasve grekë, si për ata që banojnë në Greqi dhe për ata që banojnë jashtë, duke lënë si afat dhjetorin për dorëzimin e dokumenteve. Ai ka kërkuar nga pjesëmarrësit të bëjnë ç’është e mundur për të siguruar dokumentet në Greqi, e më pas ato do të dorëzohen në ambasadën greke e më pas në Ministrinë e Jashtme greke. Për të arritur këtë, Nuredini pohoi se duhet ndihma e shtetit shqiptar që të ndërmjetësojë me shtetin grek, për të njohur më mirë elementë të këtij vendimi si dhe bashkëpunim, me qëllimin përfundimtar regjistrimin e pronave në Çamëri. Sipas tij, ka dhe prona që janë shkatërruar, siç janë xhamitë. “Rreth 106 xhami që kanë qenë para se të ndodhte genocidi janë shkatërruar, por toka është në vend, ajo nuk mund të shkatërrohet. Pas marrjes së pronave ne do t’i ndërtojmë ato ashtu si dhe kanë qenë në kohën para se shteti grek të vriste çamët e mijëra të tjerë t’i dëbonte”, pohoi Nuredini. PDI do të vazhdojë takimet në disa rrethe për të njoftuar anëtarët e komunitetit për mbledhjen e dokumenteve.                        q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›