Banda e Mirditës jepen dy dëshmitë e të pandehurve
Tiranë - Procesi ndaj të arrestuarve, që cilësohen si banda e Mirditës, vijoi dje me dy dëshmi të rëndësishme. I pari dëshmoi i pandehurit Arian Reçi dhe më pas procesi vazhdoi me dyer të mbyllura kur dëshmoi Nikoll Syziu. Dëshmia e këtij të fundit pritet të zbardhë shumë detaje për ngjarjen kur të pandehurit nuk kanë vetëm probleme me Prokurorinë, por edhe me njëri-tjetrin. Arian Reçi deklaroi se ka qenë me Dritan Ndoin dhe Nikoll Syziun kur po i afrohej SMT-së për të marrë pjesët dhe janë larguar pasi kanë vënë re rojen. Më pas kanë dëgjuar një shpërthim dhe janë larguar për të mos qenë pjesë e ngjarjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund vetëm pak kohë më parë hetimeve mbi bandën e Mirditës, anëtarët e dyshuar të së cilës akuzohen për një sërë veprash penale, mes tyre dhe për vrasjen e policit të Mirditës, Gjon Paçuku, ngjarje e ndodhur 11 vjet më parë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se pas gati një vit hetimesh, dosja penale për gjashtë të pandehurit e bandës së Mirditës, njëri prej të cilëve në mungesë, është dërguar për shqyrtim gjyqësor. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë shtetasit: Nikoll Syziu, Bardhok Syziu, Tom Syziu, Tom Gjoka, Arian Reci si dhe Dritan Ndoi në kërkim. Pesë anëtarët e dyshuar të kësaj bande u arrestuan vitin e kaluar në operacione të organizuara nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mbi ta rëndojnë disa akuza si grabitje dhe plagosje të ndodhura gjatë vitit ‘97 në qytetin e Mirditës dhe rrethinat e tij.
7 Prill 2009