E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët, Universiteti i Tiranës çel aplikimet për programin “Brain Gain”



Universiteti i Tiranës hap aplikimet e pedagogëve për programin “Brain Gain”. Nisja e aplikimeve bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar për të gjithë stafin akademik me kohë të plotë të Universitetit të Tiranës (UT). Afati i fundit për aplikim është data 17 prill 2009, dhe aplikantët duhet të plotësojnë disa kushte kryesore të përcaktuara nga drejtuesit e UT-së. Së pari, për të aplikuar në programin “Brain Gain” duhet që pedagogët të jenë kthyer në Shqipëri pas 25 shtatorit 2006 (data e fillimit të programit “Brain Gain”) dhe të kenë filluar punë në Universitetin e Tiranës pas 1 janarit 2008. Kushti i dytë që duhet të përmbushet për të marrë pjesë në këtë program është se pedagogët duhet të jenë të punësuar me kohë të plotë. Për ta vërtetuar këtë, aplikimi duhet të shoqërohet nga kontrata, ku të tregohet edhe norma mësimore që ka për të përmbushur individi. Të ketë mbaruar studimet e masterit apo doktoraturës me rezultate të paktën mbi mesatare dhe të ketë si dokumentin e masterit, ashtu edhe fletën shoqëruese të notave është kushti i tretë që duhet të plotësohet për aplikim. Kushti radhës që drejtuesit e UT-së kanë vendosur për tu bërë pjesë e “Brain Gain” është se pedagogu nuk duhet të jetë i/e punësuar me kohë të plotë në një institucion tjetër publik apo privat. Gjithashtu, është e nevojshme që pedagogët të kenë tri referenca nga të cilat dy të huaja (një profesori dhe një punëdhënësi apo një profesori tjetër). Kushti i fundit ka të bëjë me profesorët vizitorë për të cilët duhet të ketë një vendim të këshillit të fakultetit dhe lënda duhet të jetë e nivelit të masterit.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›