E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e lirimit, nis puna për grumbullimin e fondit të pyetjeve



Nis puna për grumbullimin e fondit të pyetjeve, për të cilat po punojnë rreth 20 mësues për provimet e lirimit. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj, bën të ditur se kanë nisur përgatitjet për zhvillimin e Provimit të Lirimit për të gjitha shkollat 9-vjeçare në vend, bazuar në rregulloren e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të miratuar pak ditë më parë. Lidhur me përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të provimeve të lirimit, Harizaj sqaron se drejtoritë arsimore duhet të përcaktojnë mjediset ku do të zhvillohen provimet deri më 20 maj. Që një mjedis të jetë i përshtatshëm për këto provime duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm. larg, etj. Nxënësit e klasave të 9-ta do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it, është nga data 6 qershor-27 qershor 2009. Nxënësit e klasave të 9-ta do të testohen për Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë më 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit do t’i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009. Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat
e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.

Bashkia, përfundon rikonstruksioni i ish-Kinema Dajtit

Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e ish-Kinema Dajtit, duke e kthyer atë në një qendër multifunksionale. Ngritja e qendrave multimediale dhe komunitare është një nga synimet e Bashkisë së Tiranës, e cila po përpiqet të krijojë mundësi edukimi dhe argëtimi për të rinjtë. Projekte të tilla synojnë rigjallërimin e aktivitetit kulturor, artistik dhe rekreativ në kryeqytet. Kryebashkiaku Edi Rama ka qenë i pranishëm në inspektimin e punimeve për rikonstruksionin dhe kthimin e ish-Kinema Dajtit në një qendër komunitare, e cila do të jetë në shërbim të grupmoshave të reja në kryeqytet. Ndërtesa i është nënshtruar një rikonstruksioni tërësor ku të rinjtë e të rejat, por edhe fëmijët e kryeqytetit, do të mund të gjejnë një pikë referimi ku mund të shoqërohen dhe të rrisin dhuntitë e talentet e tyre në art dhe kulturë.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›