E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi për Ilir Pajën, jepet dëshmia e parë në gjykatë



Tiranë - I pandehuri Ilir Paja, pas afro një viti i arrestuar nga policia shqiptare për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një polici, ka dëgjuar dje nga kafazi dëshmitarin e parë okular mbi rrethanat se si u prangos. Gazmend Vathi, punonjës në Policinë Bashkiake të Tiranës, risolli edhe një herë detaje nga aksioni policor që u mbyll me arrestimin e të shumëkërkuarit, por edhe plagosjen e rëndë të oficerit të njësisë operacionale. Paja akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj policit për të mos u arrestuar, mbrojtja synon të sjellë fakte në gjykatë që flasin për një aksident automobilistik dhe jo ashtu sikurse thotë Prokuroria. Dëshmitari i parë i mbërritur në vendngjarje pohoi se kishte gjetur dy persona të plagosur, njeri nën makinë (bëhet fjalë për policin) dhe tjetri disa metra më tutje, i cili ishte Paja. Ai tha se ka dëgjuar fillimisht krisma armësh dhe më pas një përplasje makine, gjë që sjell kontradikta me skemën paraprake të policisë. Megjithatë, për t’u bindur se çfarë ka ndodhur realisht, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur në një seancë të mëparshme të kryejë eksperiment në vendngjarje, në prani të Ilir Pajës dhe avokatit mbrojtës. Ky vendim pritet të vendosë në sfidë policinë shqiptare për ruajtjen e të pandehurit, duke pasur parasysh që Ilir Paja është arratisur dy herë në Itali, një herë me çarçaf nga Burgu i Perugias dhe më pas kur po transportohej me ambulancë nga njëri burg në tjetrin.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›