E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padi në gjykatë për partinë e Petro Koçit

Partia Socialiste i kërkon sërish gjykatës të mos e njohë partinë e re.

Laureta Rryçi

Tiranë - Petro Koçi është paditur sërish në Gjykatën e Tiranës. Emri i partisë së re, që ai ka krijuar vetëm pak muaj më parë, është ende i papërshtatshëm për partinë e vjetër të tij. Partia Socialiste i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për ta detyruar Petro Koçin të ndryshojë emrin e partisë së re. Kjo padi tashmë i ka kaluar procedurat e para duke u përcaktuar me short për gjykim nga gjyqtarja Elbana Lluri. Madje pritet që procesi civil të nisë në mesin e muajit prill duke vënë në pikëpyetje kështu edhe pjesëmarrjen e Petro Koçit në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në qershor të këtij viti. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se objekti i padisë është: detyrimi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 të ndryshojë emrin dhe stemën e saj. Sigurimin e padisë; pezullimi i regjistrimit të Vendimit Nr. 1448, datë 26.02.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; ndalimi i përdorimit të emrit Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 të inicialeve PSV ‘91 si dhe të stemës deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor.
Vendimet
Vendimi i parë i dhënë nga Gjykata e Tiranës për partinë e re të Petro Koçit ishte rrëzimi i kërkesës duke i dhënë një mundësi tjetër për të bërë ndryshime në pikat kryesore kur krijohet një parti. Pas dy muajsh, Koçi i rikthehet sërish rrugës ligjore për të regjistruar “krijesën” e tij me të cilën kërkon të përfaqësohet si subjekt më vete politik në këto zgjedhje. Pas një procesi relativisht të gjatë në gjykatë, Petro Koçi arriti ta regjistronte partinë e tij në shkurt të këtij viti. Mirëpo teksa ka nisur takimet e para elektorale, telashet sërish nuk kanë mbaruar. Kësaj radhe, ai duhet të përballet me kërkesat e partisë së tij të vjetër nga e cila ai u shkëput rreth një vit më parë.
Procesi i dytë
Padia që pritet të shqyrtohet duket se do të rikthejë sërish të njëjtat argumente që u dhanë në fund të dhjetorit të vitit 2008 nga gjyqtari Artur Gaxhi. Ky i fundit, pasi gjykoi kërkesën, arriti në përfundimin se “Inicialet e kërkuesit “Partia Socialiste ‘91” dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë përputhen me njëra-tjetrën, pasi të dyja përbëhen nga germat PS, edhe pse kërkuesi pas germave PS ka shtuar shifrat ’91, - arsyetohet më tej nga gjykata, e cila vlerëson dhe çmon se inicialet e partive përbëhen nga germa e parë e fjalëve përbërëse të emrit të partisë dhe shifrat e shtuara në rastin konkret nuk i bëjnë të dallueshme inicialet e kërkuesit nga inicialet e partisë politike ekzistuese të përshkruar me sipër. Ndërsa tani ndryshimi i vetëm është se Koçi shtoi edhe fjalën, e vërtetë.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›