E Diel, 1 Nëntor 2026

“Banda e Mirditës”, prokurori kërcënohet në sallën e gjyqit

Tiranë Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi dje gjykatës të shpallë fajtorë dhe të dënojë me burgim të përjetshëm Nikoll dhe Dritan Syziun, të akuzuar për vrasjen e një punonjësi policie. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, prokurori kërkoi dënimin e katër të pandehurve të tjerë me nga 14 vjet heqje lirie, për të njëjtat akuza që dyshohet se janë konsumuar nga të akuzuarit si pjesë e “Bandës së Mirditës”. Gjatë konkluzioneve përfundimtare nuk kanë munguar as reagimet e të pandehurve, të cilët madje kanë kërcënuar prokurorin e çështjes, Anton Martini. Edhe pse replikat ndodhën në prani të gjykatës, asnjë prej anëtarëve të trupit gjykues nuk reagoi lidhur me deklaratat e të pandehurve. Në përfundim të pretencës, i pandehuri Syziu ka përmendur fëmijët e prokurorit, dhe pas reagimit të tij, ka thënë se po fliste me të vëllanë që ndodhej pranë tij në kafazin e hekurt. Dosja penale ndaj të pandehurve Nikoll, Dritan, Bardhok dhe Tom Syziu si dhe ndaj të pandehurve Tom Gjoka dhe Arjan Reçi gjykohet për herë të dytë në Gjykatën për Krime të Rënda. Një vit më parë Krimet e Rënda shpallën fajtorë të pandehurit, duke dënuar me burgim të përjetshëm Dritan dhe Nikoll Syziun dhe me nga 14 vjet burg të pandehurit e tjerë. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Apeli për Krime të Rënda, ndërsa të pandehurit bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në fillim të këtij viti shkalla më e lartë e gjyqësorit vendosi të kthejë çështjen për rigjykim në shkallën e parë, me një tjetër trup gjykues. Në të dy gjykimet, të pandehurit në proces kanë pretenduar pafajësi në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi ta, ato të vjedhjes me armë në tentativë në bashkëpunim dhe të vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Sipas prokurorisë, të pandehurit u akuzuan për ngjarjen e ndodhur në vitin 2000 në ish-SMT-në e Rrëshenit. Gjatë ndërhyrjes së policisë kundër një grupi grabitësish që ndodheshin brenda ambienteve të ish-SMT-së është hedhur një granatë dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë polici Gjon Paçuku, si dhe u plagosen tre policë të tjerë. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›