E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret me sëpatë ish-burrin: S’mund t’i lejoja dashurinë me një 18-vjeçare

Një 48-vjeçare nga Mati vret me sëpatë ish-bashkëshortin e saj Vladimir Doçi, pasi dëgjon bisedën me të dashurën e tij 18-vjeçare. Vetëdorëzohet në polici dhe rrëfen rrethanat e krimit: Jetoja me të për hir të fëmijëve. Nuk jam penduar

Burrel Një histori jashtë martese i ka marrë jetën një 51-vjeçari nga fshati Karicë i rrethit të Matit. Lule Doçi, 48 vjeç, ekzekutoi me sëpatë bashkëshortin e saj 51-vjeçar Vladimir Doçi, për motive xhelozie. Burime nga policia e Matit i thanë MAPO-s se çifti ishte divorcuar kohë më parë në gjykatë, por marrëdhënia e re e nisur prej viktimës ka acaruar sërish përplasjet në familjen Doçi. Drejtoria rajonale e policisë së Dibrës tha se vrasja me sëpatë ka ndodhur mesnatën e së hënës, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë sqaruar rrethanat e këtij krimi. Dhjetë ditë më parë, Vladimir Doçi është larguar nga shtëpia ku jetonte me gruan dhe dy fëmijë të vegjël, për të bashkëjetuar me një vajzë të re. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë këtyre dhjetë ditëve ai jetonte me të dashurën e re në shtëpinë e disa të afërmve në rrethin e Krujës. Mbrëmjen e së hënës, ai ishte kthyer në shtëpinë e tij, me pretekstin për të ndihmuar ish-gruan dhe dy fëmijët e vegjël. “Ai ishte divorcuar me vendim gjykate me gruan, por sërish jetonin së bashku, madje vitet e fundit dukej se marrëdhënia mes tyre po përmirësohej”, - kanë thënë në polici të afërm të viktimës. Natën e krimit, në banesë ka qenë Vladimiri, bashkëshortja, dy fëmijët e vegjël, e bija e martuar dhe dhëndri. Vladimiri ka fjetur në një dhomë më vete, ndërsa autorja e krimit, Lulja, me dy fëmijët e mitur. Gjatë mbrëmjes, 48-vjeçarja ka dëgjuar ish-burrin që fliste në telefon me gruan e re, madje duke u shprehur me fjalë të ngrohta dashurie. Rreth orës 22.00, gjashtë pjesëtarët e familjes Doçi kanë fjetur gjumë. Sipas policisë, rreth orës 23.45 minuta Lule Doçi është zgjuar nga gjumi, ka marrë sëpatën që mbante në shtëpi dhe është futur pa u ndjerë në dhomën ku flinte burri i saj. E ka goditur mbi vesh, në pjesën e kokës, duke e lënë të vdekur në vend. Ka dalë nga dhoma dhe ka njoftuar pjesëtarët e familjes. “Kam vrarë Vladimirin ” - ka thënë shkurt ajo dhe është larguar me shpejtësi nga shtëpia, në drejtim të fshatit Baz. Tre fëmijët dhe dhëndri kanë braktisur shtëpinë dhe janë futur në shtëpinë e xhaxhait të Vladimirit, në pritje të policisë. Ndërkaq, Lule Doçi ka telefonuar policinë duke u shprehur se kishte vrarë burrin dhe se po udhëtonte drejt rrugës nacionale, e gatshme për t’u dorëzuar. Drejtues të policisë dhe prokurorisë lokale janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Pa mbërritur në fshat, janë përballur me 48-vjeçaren, të cilën e kanë dërguar në dhomat e izolimit në Komisariatin e Policisë Mat dhe pastaj kanë kryer hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Lule Doçi ka pranuar që në fillim të herës autorësinë e krimit dhe ka treguar edhe mjetin me të cilin e ka kryer atë. “E kam vrarë burrin se ai, megjithëse jetonte me një grua tjetër, vinte në shtëpi. Ma pati sjellë në majë të hundës. Policia e di mjaft mirë sa herë e kam denoncuar atë në polici. Ne ishim divorcuar, por për hatër të fëmijëve rrija përsëri me të. Martesën në këtë moshë me një vajzë 18 vjeçe nuk mund t’ia lejoja. Ky njeri ma pati nxirë jetën”, - ka thënë ajo para forcave të policisë. Gruaja 48-vjeçare ka mbaruar dëshminë e saj me fjalët: “Nuk jam penduar për vrasjen”. P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›