E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Mirditës, vrasjen e lidhin me një histori dashurie

Autori i Lajmit: red.
Të pandehurit e Bandës së Mirditës e kanë lidhur faktin e vrasjes së policit të SMT-së me një lidhje dashurie midis të afërmve të të pandehurve. Ata po akuzojnë njëri-tjetrin për autorësinë e vrasjes dhe, sipas deklarimeve të tyre, autor i vrasjes është Dritan Syziu, i cili është duke u gjykuar në mungesë, pasi është arratisur prej vitesh. Nikollë Syziu, vëllai i Dritanit, ka qenë i pandehuri i fundit që ka dhënë dëshminë e tij në dy seancat e fundit. Për shkak se nga dëshmia e tij do të dilnin disa marrëdhënie dashurie mes të pandehurve dhe familjarëve të të pandehurve, avokatët kanë kërkuar zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura, kërkesë e cila është pranuar edhe nga gjykata. Nikollë Syziu ishte i pandehuri që hodhi akuza të forta mbi bashkëfshatarët e tij, i cili pretendon se ata e akuzojnë atë si organizator të grabitjes që do të kryenin, dhe vrasjes, pasi ai ka pasur një lidhje të fshehtë dashurie me motrën e Tom Gjokës, njërit nga të pandehurit e kësaj bande. Ai pohoi se kjo ishte edhe arsyeja që Tom Gjoka bëri një dëshmi të rreme pak seanca më parë.
Dëshmia
Nikollë Syziu ka kërkuar që dëshmia e tij të jepej me dyer të mbyllura, pasi nga dëshmia e tij do të prekej nderi i një familjeje, ndaj dhe ai kërkoi që të ruante etikën. Kjo kërkesë është bërë edhe nga avokatët mbrojtës dhe më pas është pranuar nga trupi gjykues. Nga burime brenda sallës së gjyqit bëhet me dije se Nikollë Syziu ka pohuar se po sulmohet me akuza të rreme nga Tom Gjoka pasi, sipas Syziut, kjo ndodh për shkak të një inati të vjetër. Nikollë Syziu ka pohuar se shumë vite më parë ka pasur lidhje dashurie me motrën e Tom Gjokës dhe për këtë edhe sot nuk ka marrëdhënie të mira me të. Kur është pyetur nga prokurori i çështjes se cilat kanë qenë marrëdhëniet e tij me familjen Gjoka, ai ka pohuar se kanë qenë të mira, por me Tom Gjokën nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie shoqërore. Gjithashtu, i pandehuri ka pohuar se pas ngjarjes, marrëdhëniet e tyre janë përkeqësuar edhe më shumë. Nikollë Syziu nuk ka pranuar vrasjen e policit Gjon Pashuku, duke pohuar se nuk e ka idenë se kush kishte qëlluar me armë dhe se kush kishte hedhur granatën, pasi atë natë nuk kishte qenë vetëm ai, por edhe shumë persona të tjerë që sot janë të pandehur. Ai ka pranuar se kishte shkuar së bashku me vëllanë e tij për të parë nëse kishte roje SMT-ja apo jo, por jo se kishte hapur zjarr apo të kishte hedhur granatë siç ka pohuar edhe Tom Gjoka.

Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›