E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetari i BBC: Sekretet e errëta të kampeve të UÇK-së

Autori i Lajmit: Entela Duraj & Androkli Dralo
Michael Montgomery është korrespondent i raportimit të Qendrës së Investigimit. Me një karrierë mbi 20-vjeçare ai ka punuar në TV, radio dhe gazeta. Ka punuar si korrespondent në Ballkan për gazetën “London Daily Telegraph”, ku ka mbuluar konfliktet në Kosovë, Bosnjë, Kroaci dhe është rikthyer në Kosovë në vitin 1999, ku ka qenë bashkëpunëtor në një dokumentar radiofonik. Ai ka kontribuar edhe në një investigim të BIRN-it, të kampeve të UÇK-së në Shqipëri.

Pse vendosët të merrnit përsipër këtë projekt?
Kjo ndodhi krejt rastësisht. Unë kam kaluar shumë kohë mbas luftës së vitit 1999 në Kosovën Perëndimore me kolegun tim, Stefan Smith. Gjatë kësaj kohe që ne kryenim intervista për dokumentarin tonë rreth Qyshkut, ne nisëm të mblidhnim informacion edhe për trupat e disa shqiptaro-kosovarëve që ishin zhdukur. Shumica e njerëzve besonin se ata ishin rrëmbyer nga policia serbe për të zhdukur gjurmët e gjenocidit. Këto prova na çuan mua dhe Stefanin në një hetim të ri. Konkretisht, ne shkruam disa histori se si forcat serbe shkatërruan apo groposën në varre masive qindra viktima shqiptare. Ky informacion u konfirmua më vonë me zbulimin e varreve masive në Batajnica dhe vende të tjera në Serbi. Gjatë kësaj periudhe ne folëm me shumë burra që kishin shërbyer për UÇK-në dhe burime të tjera shqiptare. Ata na treguan për shumë nga gjërat që kishin parë apo dëgjuar, pra për vrasjet dhe pengmarrjet e kryera nga oficerët e UÇK-së apo të tjerë që kishin lidhje me të.

Cilat ishin burimet?
Në fakt, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mbrojtur identitetin e këtyre njerëzve. Por këta ishin të gjithë burra që e konsideronin veten e tyre patriotë kosovarë... dhe që janë ende krenarë për atë që kanë luftuar. Disa ishin shoferë dhe oficerë logjistike. Por ata nuk ndiheshin mirë me atë çka u kishte ndodhur këtyre njerëzve, si serbëve ashtu edhe shqiptarëve. Disa burime panë dhe një lidhje ndërmjet këtyre krimeve dhe korrupsionit të sotëm në Kosovë. Ata besojnë se disa nga këta njerëz janë implikuar me këto krime... por vazhdojnë të abuzojnë me këtë sistem, edhe pse me mënyra të ndryshme.

Nga pretendimet kryesore del se UÇK apo elementë të saj kanë përdorur qeli apo kampe.
Kjo është gjëja kryesore që ne kemi zbuluar. Ka prova të qarta që UÇK apo elementë të saj kanë mbajtur të izoluar dhe kanë abuzuar me njerëz ku si kampe apo burgje kanë shërbyer shtëpitë e banorëve të thjeshtë. Kjo ka ndodhur gjatë dhe mbas lufte. Kjo ka ndodhur edhe në vendet që ne përmendëm në dokumentarët brenda dhe jashtë Prizrenit, afër Junikut dhe gjetkë në Kosovë, në Tropojë, Kukës, Burrel madje edhe në Durrës. Me sa duket, në këto burgje janë mbajtur njerëz të ndryshëm për arsye të ndryshme. Një nga gabimet kryesore të mënyrës se si kjo histori është trajtuar nga media e Beogradit është pretendimi se vetëm serbët janë mbajtur në këto burgje. Në kampin e UÇK-së së Kukësit, me sa duket, shumica e atyre që janë mbajtur atje kanë qenë shqiptaro-kosovarë. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për burimet tona, fakti që qytetarë shqiptarë janë abuzuar nga ushtarët e UÇK-së dhe oficerë të saj.

Pra, këto burime ju kanë komunikuar se ekziston një rrjet i tërë kampesh abuzive ndaj të drejtave të njeriut dhe trafikimit të organeve?
Në fillim, ne vetëm dëgjuam histori të civilëve të vrarë në Kosovë, kryesisht serbë të vrarë pas lufte. Por nga burime të tjera ne nisëm të merrnim më shumë informacione për njerëzit që zhdukeshin pa lënë gjurmë. Kjo ishte koha kur ne dëgjuam për njerëzit që dërgoheshin në kufi me Shqipërinë. Gjëja që ne nuk kuptonim ishte nëse këto ishin thjesht akte hakmarrjeje, dhe pse duhet t i dërgonin këta njerëz në Shqipëri dhe të mos i vrisnin në Kosovë. Ajo çka ishte më e pakuptimtë ishin historitë që ne dëgjuam gjatë kohës që këta burra transportonin këta njerëz, ata urdhëroheshin të mos i keqtrajtonin pengjet. Dhe, sipas këtyre historive, pengjet kontrolloheshin nga doktorët që vinin nga anë të ndryshme të Shqipërisë.

Përfundimet më të rëndësishme që dalin nga kërkimi juaj është që të burgosurit janë vrarë dhe organet e tyre janë transplantuar. Kur keni dëgjuar për herë të parë për këtë?

Më 2003 ne arritëm të mblidhnim më shumë detaje për kampet ku njerëzit ishin mbajtur gjatë dhe pas lufte. Shumica e burimeve tona nuk e dinin pse njerëzit ishin dërguar në Shqipëri veçanërisht pas lufte. Ata e dinin se disa ishin vrarë në zonat kufitare dhe trupat e tyre ishin varrosur në varre të fshehta, por shumë burime të tjera besonin se shumë nga pengjet mundësisht një numër shumë i vogël i mbajtën gjallë për muaj të tërë pas lufte. Kjo shpjegon pikërisht faktin e sipërpërmendur. Ata mbaheshin për t u transplantuar. Por unë nuk jam në dijeni që shumë nga pengjet janë shkëmbyer me pengjet serbe. Ne kishim dëgjuar për Burrelin dhe njerëz që mbaheshin atje. Ne kishim dëgjuar gjithashtu edhe për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, që kishte hetuar qytetarë shqiptarë që ishin mbajtur në Burrel pas lufte. Konkretisht, ne takuam dy burime të besueshme, të cilat na treguan për transportimin e një numri të vogël pengjesh në një shtëpi afër Burrelit, dhe mundësisht e në vende të tjera. Ata thanë se ishte shumë e çuditshme, sepse doktorët ishin atje prezent. Dhe një burim tha se brenda shtëpisë mbante era spital. Atyre u është thënë më vonë se pengjet ose organet e tyre u transportuan jashtë për operacione të transplantit. Burimet nuk e kishin parë diçka të tillë, por e kishin dëgjuar dhe kjo përputhej me atë që kishin parë në shtëpi.

Pra, çfarë bëtë më informacionin?
Ne e dërguam informacionin tonë në zyrat e UNMIK-ut në vitin 2003. Krahasuam të dhënat tona të njerëzve të humbur me të atyre. Dhe ne kishim informacione se ku mund të ishin disa prej këtyre të humburve. Megjithatë, ne nuk kishim informacion të besueshëm se ku gjendeshin dhe ku mund të ishin varrosur këta njerëz. Në këtë moment Kombet e Bashkuara vendosën që të dërgonin një ekip investigimi në shtëpi.

A u kthyet ju sërish në Burrel në ”Shtëpinë e Verdhë” me ekipin e OKB-së?

Po. Dhe ekipi i OKB-së bëri disa zbulime të pazakonta, u zbuluan pajisje mjekësore të hedhura në një kosh plehrash dhe prova si gjurmët e gjakut në dyshemenë e dhomës së ndenjies. Megjithatë, familja i shpjegoi këto, por ekipi i OKB-së mendoi se banorët nuk i treguan të gjitha gjërat që dinin dhe ekspertët nuk e kuptuan pse familja nuk i tregoi disa pjesë të historisë.

Dhe çfarë ndodhi më pas?

Provat e mbledhura nga ekipi i UNMIK-ut iu dërguan për t u analizuar Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Historia ishte intriguese, por ne ndjemë se nuk kishim informacionin e duhur veçanërisht për kampet. Ne pritëm për OKB-në që të analizonte provat e shtëpisë dhe mundësisht të investigonte prova të reja, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Herën tjetër që ju dëgjuat për këtë ishte në librin e Karla del Pontes?
Po.

Çfarë mendoni për faktin që nuk u ndërmor një hetim për sa kohë ajo ishte shefe e GJNKL-së (ICTY), por kjo ndodhi më vonë, pasi ajo u largua nga kjo detyrë dhe e shkroi këtë histori në një libër?

Mendimi im është se ajo e publikoi këtë informacion duke shpresuar të tërhiqte interesin e kësaj çështjeje. Nuk jam i sigurt.

Çfarë ndodhi me provat e mbledhura në vendngjarje?
Jam shumë i sigurt se provat u shkatërruan në gjykatë. Kjo jo vetëm është konfirmuar nga prokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, por është konfirmuar gjithashtu edhe nga Jose Pablo Baraybar, ish- kreu i UNMIK-ut i zyrës së personave të humbur. Del Ponte tashmë është ambasadore, ndërsa Ministria e Jashtme Zvicerane, i ka ndaluar të flasë me median. Sidoqoftë bashkëpunëtori i saj, Chuck Sudetic, më komunikoi shkatërrimin e raporteve të provave në Burrel. “Carla del Ponte nuk kishte dijeni që këto prova fizike, të cilat përfshinin injeksione të përdorura dhe pajisje të tjera mjekësore ishin shkatërruar nga ICTY. Vendimmarrja për shkatërrimin e tyre ishte marrë jo nga autoriteti i zonjës Del Ponte dhe nuk ishte biseduar me të. Në rast se zonja Del Ponte do të njoftohej, ajo do të refuzonte aprovimin e shkatërrimit të provave”. Nuk kam dijeni për një investigim tjetër të UMNIK-ut apo të Gjykatës Ndërkombëtare për këtë çështje.

Por ju keni nisur kohët e fundit një hetim të ri. Çfarë keni zbuluar kësaj radhe?
Investigimi ynë i ri zbuloi provat e ekzistencës së një rrjeti të madh kampesh në Kosovë e Shqipëri ku njerëzit torturoheshin e në disa raste edhe vriteshin. Kërkimi ynë i ri tregon gjithashtu se disa prej viktimave ishin me kombësi shqiptare.

Sa burime ua konfirmuan këtë?
Gjithsej gjashtë.

Dhe të gjitha këto ishin burime anonime?

Po. Sepse atyre duhej t u ruhej identiteti, ashtu siç bëmë edhe me burimet e historisë së masakrës së Qyshkut.

Në rast se vihet në rrezik siguria e emrave të dëshmitarëve, pse nuk mundni të tregoni me emër edhe autorët e kësaj historie? Sepse ju e dini kush janë ata, pasi përmendët edhe pozicionet e tyre.

Besoj se disa prej këtyre emrave do të dalin. Shumë prej këtyre emrave dihen, thjesht njerëzit nuk duan të flasin për ta.

Cilat janë shanset që EULEX të vazhdojë më tej hetimin e këtyre çështjeve?

Me sa di unë, EULEX sapo ka konfirmuar publikisht që do të hetojë këto prova. Pyetja është nëse këta u japin prokurorëve mbështetje të fortë politike për të përfunduar hetimet, cilado qofshin rezultatet e tij.

Faksimile të raporteve të hetimeve të OKB-së. Lista e provave të gjetura në vendngjarje. Një kopje e këtij raporti iu dorëzua Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Kryesisht janë gjetur pajisje mjekësore, shiringa të përdorura të hedhura në një kosh plehërash dhe gjak i gjetur në dyshemenë e dhomës së ndenjes. Sipas këtij raporti shumë nga dëshmitarët besojnë se njerëzit janë vrarë në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel dhe janë varrosur në një varrezë në të njëjtën zonë.

Emrat e personave që ishin dëshmitarë gjatë ekzaminimeve të vendngjarjes nga ekipi i OKB-së.

Barajbar
Ratikainen
Frydenlund
Delabarde
Grange
Uitmun
Një prokuror lokal (shqiptar)
Një punonjës policie
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›