E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Tiranë, prangoset autori

Autori i Lajmit: red.

Vrasja e ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet që deri dje ishte e veshur me mister, është zbardhur mbrëmjen e djeshme dhe i dyshuari është prangosur. Burimet zyrtare pranë Policisë së Tiranës, bënë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Zalta”, forcat policore mundësuan ditën e djeshme gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, së ndodhur më 11 Prill 2009, ku u vra me armë zjarri 37-vjeçari Ardian Tahiri. ”Rreth orës 15.30 të ditës së djeshme, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, realizuan kapjen dhe më pas arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes, së ndodhur vetëm pak ditë më parë në rrugën “Irfan Tomini” në Kryeqytet”, - detajuan burimet. Ajo saktësoi se “dyshohet që autor i kësaj vrasje me armë zjarri, të jetë Fatmir Avdillari, 35 vjeç, (i njohur me pseudonimin Xubi), me banim në Tiranë.
”Në sajë të një hetimi profesional dhe intensiv për këtë ngjarje, u konkludua se vrasja e Ardian Tahirit, ka ndodhur për motive të hakmarrjes, pasi autori dyshonte se viktima i kishte vrarë të vëllain e tij Fiqiri Avdillari, ngjarje kjo e ndodhur më datë 12 janar të vitit 2008 në Athinë të Greqisë. Sakaq, policia tha se në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, si dhe të disa ngjarjeve të tjera të rënda.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›