E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Selitës, hakmarrja rikthehet

Zbardhet plotësisht vrasja e Ardian Tahirit, i cili u ekzekutua natën e së shtunës në një lokal te rruga "Irfan Tomini" në Tiranë. Policia ka mundur të dokumentojë se ai është vrarë nga një prej anëtarëve të Bandës së Selitës për hakmarrje. Fatmir Avdillari, i cili vetëm pak kohë më parë ka dalë nga burgu, pasi ka qenë i dënuar me 12 vjet heqje lirie, ka dyshuar te 39-vjeçari fierak se ishte vrasësi i vëllait të tij, i ekzekutuar disa vite më parë në Greqi.

Më në fund, policia ka mundur të çojë në prokurori dosjen e plotësuar për vrasjen e ndodhur të shtunën në Tiranë. Sipas policisë, atë natë është qëlluar me pistoletë Ardian Tahiri, 39 vjeç, ndërkohë që autori gjatë tentativës për ta vrarë, ka plagosur edhe Roland Cakën, 33 vjeç. Më pas, ai është larguar nëpër errësirë, ku e ka pritur edhe një makinë për t‘u arratisur pa lënë gjurmë. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pavarësisht se ka pasur shumë dëshmitarë, e ka pasur të vështirë, të zbardhë detaje, pasi autori është një prej krerëve të ashtuquajturës "Banda e Selitës". Asnjë nuk ka preferuar të flasë nga frika e ndonjë konflikti të mundshëm. Por, pas dy ditësh, policia ka zbardhur edhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori i dyshuar është Fatmir Avdillari. Ai ka rreth dy muaj që është liruar nga burgu. Ai ka qenë duke vuajtur dënimin prej 12 vjetësh, pasi në bashkëpunim me vëllezërit e tij dhe shumë persona të tjerë, akuzohej se kishte vrarë shumë persona dhe kishte kryer një sërë grabitjesh. Por, tashmë, ai dyshohet dhe akuzohet për një tjetër vrasje, atë të Ardian Tahirit. Sipas policisë, Tahiri është një person që nuk ka precedent penal në Shqipëri, megjithëse në Greqi, ku ai ka jetuar shumë vite, është dyshuar për aktivitet kriminal. Nga ana tjetër, Fatmir Avdillari ka pasur dyshimet e tij se Tahiri i ka vrarë vëllain, Fiqiri Avdillari. Ky i fundit është ekzekutuar në janar të vitit 2008 në Greqi, teksa Fatmir Avdillari ndodhej në burg. Fiqiri Avdillari, pasi është ekzekutuar me armë zjarri, trupi i tij është djegur. Sapo ka dalë, Fatmiri ka filluar të mbledhë informacion për vrasjen e vëllait dhe ka ngritur dyshimet se ai ishte ekzekutuar nga Ardian Tahiri. Sapo e ka gjetur këtë të fundit ka vendosur ta vrasë për hakmarrje, duke marrë parasysh edhe faktin se mund të arrestohej nga policia. Megjithatë, burimet policore shpjegojnë se nuk ka fakte se Tahiri ka qenë vrasësi i vëllait të Avdillarit, i cili në vitet ‘90 njihej si person shumë problematik.

Dyshimet për Avdillarin

Fatmir Avdillari, i cili mendohet se fshihet ende brenda Tiranës, por njerëzit kanë frikë të flasin për të, dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në një sërë veprash penale. Megjithatë, drejtësia shqiptare, e ka dënuar atë vetëm me 12 vjet burg, aq sa një kriminel i zakonshëm, vetëm për një vrasje do të merrte minimumin e mundshëm. Ai dyshohet se aktivitetin e tij kriminal e ka shtrirë gjatë viteve 1996-1997. Ai, në bashkëpunim me një person tjetër, dyshohet se ka vrarë Agim Ribajn më 6 mars të vitit 1997. Pesë ditë më vonë, ai dyshohet se ka grabitur dhe vrarë Ylli Shurdhin, duke i marrë 250 mijë dollarë. Por, sikur të mos mjaftonin këto, më 16 tetor të vitit 1997, Avdillari, në bashkëpunim me një person tjetër, dyshohet se ka vrarë Ndriçim Bocën dhe plagosën Tomor Lamçen për motive të panjohura. Ndërkaq, një muaj më vonë, pikërisht në nëntor, ai u akuzua se ka grabitur një makinë "Mercedes Benz", të Ilir Peshkut nga Fieri dhe rreth një milion lekë. Gjithashtu, ai dyshohet edhe si përgjegjësi i vrasjes së Ramazan Zelës, i cili u ekzekutua me armë zjarri gjatë një grabitjeje në Vaqar, teksa po i merrnin një makinë dhe 300 mijë lekë. Gjithashtu, ai është akuzuar nga drejtësia edhe për një sërë grabitjesh në Durrës, ose në Ndroq, ku është vrarë edhe një person me emrin Agron (mbiemri nuk dihet), i cili u gjet një muaj më vonë në fshatin Brar. Shumicën e këtyre krimeve, ai dyshohet se i ka kryer me Lavdërim Shabën nga Selita, me të cilin, sipas drejtësisë shqiptare kanë qenë në grup.

Vrasja e italianit

Por, ngjarja më e rëndë për të cilën akuzohet grupi i Selitës, është ajo e grabitjes dhe vrasjes së një biznesmeni italian. Në vitin 1995, italiani Stefano Rossi kishte një qëllim: të investonte 0.5 miliard lireta nga kapitalet e tij në Shqipëri dhe nga kjo sipërmarrje të korrte sukses. Për këtë në fund të këtij viti mori me qira disa ambiente të Fabrikës së Qelqit, në Kombinat, hapi një impiant të prodhimit të këpucëve "Benneton" dhe punësoi rreth 80 vetë. Por, e gjithë ëndrra e 24-vjeçarit, nga Bari, u këput në mes më 27 janar të vitit 1998 kur një breshëri plumbash i morën jetën. Djaloshi simpatik i ardhur në Tiranë si 200 biznesmenë nga atdheu i vet, më 27 janar të vitit 1998 ishte duke çuar rrogat e punëtorëve në fabrikën e tij, kur një grup djemsh i dolën përpara dhe i kërkuan të ndalonte. Por, thirrjes Rossi iu përgjigj me shtimin e gazit. Kjo u kthye në fatalitet për të. Njerëzit e pritës hapën zjarr dhe vetëm për pak minuta ai u kthye në viktimë. Hetimet nxorën se autorë ishin vëllezërit Avdillari, nga Yzberishti. Ata e kishin ndjekur Rossin në momentin që kishte tërhequr 20 milionë lireta në Bankën Italo-Shqiptare dhe i ishin vënë nga pas. Kjo është cilësuar si goditja më e madhe që u është bërë investitorëve të huaj që kanë operuar në Shqipëri. Lotëve të të fejuarës së tij, Danila, dhe të kolegëve, iu shtuan edhe ato të punëtorëve shqiptarë, të cilët e respektonin shumë atë. Një biznesmen i ri që premtonte dhe ëndërronte shumë, por që iu këput jeta në mes.

Vrasja e së shtunës

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së shtunës, forcat policore të Komisariatit Nr. 2 dhe specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit morën njoftim se në hyrje të zonës së Selitës kishte ndodhur një plagosje e dyfishtë. Të mbërritur në vendin e ngjarjes, agjentët transportuan për në spital të dëmtuarin Ardian Tahiri, emigrant i sapokthyer nga shteti grek dhe Roland Cakën dhe nisën këqyrjet dhe hetimet në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake të mbledhura në zonën ku ndodhi plagosja rezultoi se Tahiri ishte qëlluar me një plumb në kokë ndërsa Caka në pjesën e gjoksit. Afro dy orë pas ngjarjes, 39-vjeçari Tahiri gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që Caka mundi të mbijetonte. Dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe përshkrimi i autorit nga dëshmitarët okularë rezultojnë se autori i dyshuar i ngjarjes të jetë 38-vjeçari Fatmir Avdillari, banues në Yzberisht, person me precedentë të shumtë penalë, për "vrasje", "plagosje të rëndë me dashje" dhe "shkatërrimit të pronës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›