E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja me armë, arrestohet një nga vëllezërit e kërkuar

Arrestohet një nga vëllezërit e shpallur në kërkim për plagosjen e një vajze të re, e cila ra pre e një përplasjeje me armë pak ditë më parë. Burimet policore shpjeguan se për plagosjen me armë zjarri të shtetases Denada Stafa; u arrestua Arjan Doçi, 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky është një ndër dy vëllezërit e shpallur në kërkim për një përplasje me armë, ndërkohë që janë arrestuar edhe pesë të tjerë. Sipas të dhënave, në pranga përfunduan Armand Kashari, 20 vjeç, i arrestuar për "kanosje", "prishje të qetësisë publike" dhe të "armëmbajtje pa leje", Ergys Kaso, 27 vjeç, Bojken Kaso, 23 vjeç, Eglind Bejko, 22 vjeç dhe Dario Baruti, 22 vjeç, të arrestuar për "moskallëzim krimi". Nga të dhënat hetimore mësohet se arrestimi i tyre u krye sepse rreth orës 22.00‘ të dy netëve më parë, në rrugën "Vasil Shanto", pranë hyrjes së një pallati, Armand Kashari dhe Dario Baruti, pas një sherri banal në bilardo kanë goditur me grushte Arjan Doçin, 23 vjeç. Ky i fundit ka njoftuar më pas për këtë konflikt vëllain e tij, Elvis Doçi, 31 vjeç dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me pistoletë kundrejt Armand, Ergys, Bojken Kasos, Eglin Bejkos dhe Dario Barutit. Për pasojë të këtij konflikti me armë është plagosur në pjesën e këmbës Denada Stafa, 23 vjeçe, e cila ishte rastësisht në vendin ku ka ndodhur ngjarja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›