E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e falsifikimit të targave, Apeli liron katër të arrestuarit

 

TIRANE - Apeli liron katër nga të arrestuarit e operacionit "Targa ekspres". Mëngjesin e djeshëm, një kolegj i Gjykatës së Shkallës së Dytë Penale të kryeqytetit vendosi të pranonte kërkesën për lirimin nga qelia të 41-vjeçarit Ylli Hasani. Në momentin e prangosjes së tij, më 10 dhjetor, policia pohoi se ky dyshohej të ishte organizatori i grupit me 11 të pandehur. Hasani, i lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ishte inxhinier, me detyrë komisioner për dhënien e lejeve të drejtimit të mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve dhe Transportit Rrugor. Pas tij Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest shtëpie" të vendosur më parë nga Gjykata e Faktit për të pandehurën Shpresa Marashi, 38 vjeçe, me detyrë operatore pranë DRSHTRR. Më pas gjykata shqyrtoi masat e sigurisë edhe për 27-vjeçaren kryeqytetase Besjana Belli, me detyrë sekretare e sektorit të regjistrimit të mjeteve në DRSHTRR dhe Feride Kateshit, 38 vjeçe, punonjëse e agjencisë së sigurimeve "Atlantik", për të cilat vendosi t'iu zbuste masat e sigurisë. Ndërsa pritet që masat e sigurisë për gjashtë të pandehurit e tjerë të këtij procesi të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit në ditët në vazhdim. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin abuzonin me detyrën dhe pajisnin me targa dhe patenta kundrejt shumave me para persona, të cilët nuk plotësonin kriteret. Kjo metodë ishte pagëzuar me emrin "Targat Ekspres". Çka më pas u kodua me të njëjtin emër edhe operacioni policor në ngarkim të 11 të pandehurve. Pas përfundimit të seancave të djeshme, gjykata argumentoi se një nga arsyet për të cilat vendoste zbutjen e masave të sigurisë ndaj të akuzuarve ishte edhe fakti se të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore.              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›