U kap me drogë, lirohet Zyhdi Morava
Dashamir Biçaku
Shkrimtari shqiptar Zyhdi Morava, i arrestuar me akuzën e trafikimit të 9 kileve kokainë pak muaj më parë në Itali, është lënë i lirë nga autoritetet e drejtësisë italiane. Vendimi është dhënë pas më tepër se tre muajsh hetimi në gjendje arresti për implikimin e mundshëm të njeriut të letrave në trafikun e drogës. Zyhdi Morava, 62 vjeç, një ndër shkrimtarët disidentë të kohës së komunizmit, u la i lirë nga autoritetet italiane, pasi sipas tyre ishte provuar se ai nuk ishte i përfshirë në rrjetin e trafikut të lëndës narkotike të kokainës që u bllokua në makinën e tij. Mbrëmjen e të enjtes vonë, shkrimtari Morava ka fluturuar nga Roma në drejtim të Rinasit me një prej avionëve të shoqërisë ajrore italiane "Alitalia". Ai ka mbërritur në Rinas si deportiv, ku edhe është kryer pranimi i tij në pikën e kalimit kufitar të Rinasit. Aty mësohet se shkrimtari është pritur nga bashkëshortja me vajzën. Pas procedurave rutinë të kryera më pas në komisariatin e Policisë së Rinasit, shkrimtari është drejtuar për në shtëpinë e tij në rrugën e Kavajës në kryeqytet, përballë xhamisë. Në mesnatë, poeti i njohur ka hapur derën e shtëpisë së tij, pas më tepër se 3 muaj e gjysmë qëndrimi jashtë vendit dhe një pjesë të tyre në qelitë e një burgu, fillimisht në Bolzano pastaj në Milano. Gjatë një bisede të shkurtër mesditën e djeshme në banesën e tij, shkrimtari Morava u shpreh tepër i lehtësuar që ishte sërish mes njerëzve të lirë. Madje, nuk mungonte as gëzimi që drejtësia italiane, sipas tij, kishte bërë punën e saj që nga momenti i ndalimit të tij dhe më pas gjatë hetimeve të kryera. Shkrimtari 62-vjeçar, që më parë ka provuar në Shqipëri tmerret e burgjeve të Spaçit dhe Burrelit, tha se ishte trajtuar në mënyrë të mirë nga autoritetet italiane. Ai tha se kishte marrë jo pak mbresa me karakter artistik nga koha e qëndrimit të tij në burg, ku ka gjetur sipas tij edhe mjaft personazhe, të cilët mund t'i përdorë në krijimet e tij artistike në të ardhmen.
Dëshmia për arrestimin
Në lidhje me arrestimin e tij, Zyhdi Morava pohoi: Unë vija nga Gjermania, kisha blerë një autoveturë "Pezho", prodhim të vitit 2002. E bleva 5500 euro". Ai tha se kishte porositur autoveturën një ditë më parë dhe të nesërmen kishte shkuar për ta marrë atë në servis. "Gjatë kësaj kohe ndoshta ka ndodhur që mjeti të jetë rregulluar dhe më pas të jetë vendosur kokaina", pohoi Zyhdi Morava. Sipas autoriteteve policore italiane vlera e kokainës së sekuestruar tre muaj më parë në Brenero në kufi me Austrinë, kapte shifrën e rreth 4 milionë eurove. Shkrimtari shqiptar pohoi se sapo kishe kaluar në autostradë në afërsi të Bolzanos i ishte prishur autovetura, për shkak të një defekti në pompën e naftës. "Kur erdhi karrotreci u zbulua se kishte drogë. Së paku e zbuloi policia në kohën e duhur, se kush e di se si mund të kishin përfunduar gjërat më vonë", pohoi ish-kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai shtoi se fillimisht kishte qëndruar në Bolzano për një periudhë kohore rreth dy javë, ndërsa më pas për shkak të problemeve shëndetësore ishte transferuar në drejtim të Milanos, ku kishte edhe mjekim të specializuar. "Jam jo pak i mërzitur nga ngjarja, por shumë i kënaqur që është provuar se jam i pafajshëm dhe për faktin se jam i lirë. Por nuk lë pa përmendur edhe trajtimin shëndetësor për të cilin dua t'i falënderoj autoritetet italiane", ka pohuar Morava. Pas hetimit të kryer për disa muaj me radhë, autoritetet italiane kanë identifikuar një grup shqiptarësh me qëndrim në Gjermani si autorë të dyshuar të kësaj linje të trafikut të kokainës që hynte në Itali.
Shkrimtari shqiptar u kap në Itali me 9 kile drogë në makinë
TIRANE - Shkrimtari i njohur shqiptar Zyhdi Morava, sipas një raportimi të agjencisë ANSA, në atë kohë, ra në pranga tre muaj më parë, ndërsa po udhëtonte nga Austria në drejtim të Italisë. Në 20 shtator 2008 ai ndodhej në kabinën e një karrotreci që kishte imbarkuar një automjet, që sipas policisë rezultoi t'i përkiste shkrimtarit nga Shqipëria. Agjentët e policisë kufitare ushtruan menjëherë kontroll në makinën që Zyhdi Morava po transportonte me karrotrec nga Gjermania në drejtim të Italisë, pasi kishte kaluar nëpër Austri. Kontrolli i imtësishëm i policisë në makinë duket se u ndikua edhe nga nervozizmi i shfaqur prej Zyhdi Moravës gjatë pyetjeve paraprake që i kanë drejtuar atij agjentët e policisë italiane. Këta të fundit kanë vendosur të bëjnë kontroll në makinë, ku gjatë verifikimeve në pjesën e brendshme të derës së saj është gjetur një sasi prej 9 kilogramë kokainë. Policia italiane menjëherë arrestoi Zyhdi Moravën dhe shoqëroi drejtuesin e karrotrecit. Ky i fundit mësohet se u la i lirë pak ditë më pas për shkak se nga hetimet nuk rezultoi të ishte në dijeni apo i implikuar në trafikimin e drogës së bllokuar nga policia. Autoritetet italiane më pas nuk dhanë prononcime lidhur me këtë çështje, por theksuan se nervozizmi i Zyhdi Moravës kur ai po përballej me pyetjet e policisë, ishte bërë shkak për dyshime se ai ka pasur dijeni për lëndën narkotike të fshehur në makinë.