Fier, dy në pranga për trafik droge
TIRANE- Dy persona janë arrestuar dje me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me akuzën e organizimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, pas sekuestrimit të 2.5 kilogramëve heroinë dhe 1.5 kg kokainë në kufirin shqiptaro-grek. Përparim Llanaj dhe Aleksandër Kapja, nga Fieri, janë arrestuar nga policia lokale dhe njësia qëndrore e Antidrogës, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Arrestimi i tyre është pohuar nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat konfirmuan se ndalimi është kryer në qytetin e Fierit, ndërsa ndaj dy personave ishin gjetur prova se ishin përfshirë në një linjë të trafikut të drogave të forta. Disa muaj më parë, policia kufitare e Kakavijës ndaloi në këtë pikë, Blendar Grembin, ndërsa lëvizte me një automjet ku transportoheshin 2.5 kg heroinë, dhe 1.5 kg kokainë. Policia arrestoi në flagrancë Grembin, ndërsa nisi hetimet për lidhjet dhe rrjetin e mësipërm të narkotikëve. Disa muaj hetime të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan se në këtë linjë ishin përfshirë si organizatorë dhe drejtues dy të arrestuarit e djeshëm, të cilët janë arrestuar nga policia tashmë.