I ftohti, alarm për vende në spital
ZIRINA LLAMBRO
Zgjidhje emergjente për pacientët e urgjencës së Kardiologjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Mungesa e shtretërve e ka detyruar drejtorinë e spitalit, që si asnjëherë tjetër të hapë dyert e të gjithë pavijoneve te 6-katëshi. Pavarësisht llojit të shërbimit, endokrinologji, hematologji apo urologji nëse dhomat janë të lira , ato do të shfrytëzohen për urgjencën e zemrës. Do të jenë mjekët kardiologë, që do të ndjekin pacientët kudo të ndodhen të shtruar. Fluksi ditët e fundit ka qenë i papërballueshëm për shkak të së ftohtit. Më shumë se 100 persona në ditë kryesisht të moshuar janë paraqitur në urgjencë për të marrë asistencë mjekësore. E ndërsa pjesa më e madhe e tyre është larguar brenda ditës, të tjerët e kanë pasur domosdoshmëri shtrimin disa ditë në spital. Për rrjedhojë situata u bë kaotike e arriti deri aty sa shumë prej të sëmurëve, edhe pse në kushte të rënda shëndetësore janë trajtuar mbi tavolina e karrige. Problemi i kapaciteteve të urgjencës së Kardiologjisë e asaj të Pediatrisë është tashmë i hershëm. Megjithë premtimet për ta privatizuar asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete për të përmirësuar këtë shërbim bazë për këdo që ka nevojë për ndihmëurgjence. Premtimet për ta privatizuar e për ta reformuar krejtësisht kanë mbetur vetëm në letër. Investimet gjatë viteve të fundit kanë qenë gjithmonë cunge. Një tjetër alarm është ngritur së fundmi edhe për mungesën e specialistëve të zemrës te Kardiologjia. Dy herë në javë urgjenca do të ofrojë shërbim pa mjekun përkatës.
Virozat gripale
Temperaturë, rrahje të shpeshta zemre, dhimbje janë simptomat me të cilat paraqiten në spital të sëmurët kronikë nga zemra, por edhe qytetarët që s’kanë vuajtur më parë prej saj. Sipas mjekëve specialistë, kjo gjendje është si pasojë e të ftohtit, i cili favorizon komplikacionet e këtij lloji. “Këshilla kryesore për këtë kategori të sëmurësh është shmangia e daljeve në të ftohtë. Por ajo çka është më kryesorja evitimi i kontaktit me ambiente ekstreme. Pra, nga një dhomë e ngrohtë me kondicioner, dalja direkt në të ftohtë ndikon negativisht në shëndetin e këtyre personave”, thonë mjekët. Sipas tyre për rastet kur veç problemeve me zemrën, pacientët kanë edhe temperaturë apo ftohje është i domosdoshëm kontakti me mjekun. “Kjo pasi në shumë raste ka të sëmurë që vijnë akoma më rëndë pasi kanë marrë vetë antibiotikë, të cilët duhet të merren vetëm pas vizitës tek specialisti”, pohojnë bluzat e bardha. Ndonëse ende nuk kemi vatra të gripit në vendin tonë, virozat e para kanë nisur të prekin gjithnjë e më shumë qytetarë. Specialistët e ISHP kanë paralajmëruar se në muajt në vijim pritet që rastet e të prekurve nga gripi të rriten ndjeshëm. Madje, epidemia mund të jetë e përmasave më të mëdha se vitin e kaluar kur në janar e shkurt u regjistruan me shumë se 22 mijë të sëmurë. Të moshuarit dhe fëmijët janë ata që do t’i vuajnë më shumë pasojat e tij. “Për të shmangur komplikacionet veç vaksinës, të cilën një pjesë e mirë e tyre e kanë bërë tashmë, duhet treguar kujdes që në shenjat e para. Si prindërit e fëmijëve ashtu edhe të moshuarit nuk duhet të neglizhojnë simptomat”, pohojnë mjekët.
Dyndje te Pediatria, 200 fëmijë në ditë
Dyndje në Urgjencën e Pediatrisë. Rreth 200 fëmijë paraqiten çdo ditë me viroza, ftohje e komplikacione të tjera më të rënda. Për bluzat e bardha të këtij shërbimi, fluksi është ende i përballueshëm, por nuk dihet sa do të jenë rastet ditët në vijim. “Deri tani me kapacitetet që kemi arritur të trajtojmë të gjithë pacientët. Por presim një shtim të fëmijëve të sëmurë në ditët në vijim, çka mund të na vërë në vështirësi”, pohojnë mjekët e urgjencës. Ata gjithashtu insistojnë të informojnë popullatën për shmangien sa më shumë të antibiotikëve apo vetkurim me medikamente të tjera, që bëjnë pjesë në këtë grup. Kjo sidomos për fëmijët pasi shumë prej prindërve nuk kanë hequr akoma dorë nga ky mentalitet. Blejnë vetë ilaçe, u japin të vegjëlve dhe i përdorin edhe vetë kur sëmuren. Gjithçka në një kohë kur nuk kanë fare nevojë për to, pasi viroza është e një forme që mund të kalohet edhe me një paracetamol. Sipas specialistëve, në rastet kur të sëmurët kanë temperaturë të lartë mund të përdoret paracetamoli si dhe çaj i nxehtë. Veç tyre këshillohet edhe marrja e sa më shumë vitaminave, qoftë me tableta, qoftë me anë të agrumeve, si portokalli, limoni apo mandarinat. Kusht kryesor mbetet mbrojtja nga i ftohti, duke u veshur trashë dhe qëndruar në ambiente të ngrohta.
Kriza e ilaçeve, afati i tenderëve drejt skadimit
Kriza e ilaçeve në spitalin “Nënë Tereza” do të jetë prezente edhe në muajt e parë të vitit që vjen. Ndonëse qeveria i shtyu afatet e tenderëve për blerjet në QSU, ato ende nuk kanë përfunduar. Këtë konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga drejtoria e këtij spitali. “Disa procedura prokurimi janë mbyllur, por të tjera mjaft të rëndësishme për medikamente e pajisje laboratorike nuk janë përfunduar”, pohuan burimet. Ata shtuan se edhe pse afati i fundit është data 31 dhjetor e caktuar nga qeveria, dosjet e dokumentacionit nuk janë gati. Nuk dihet sesi do të mundet Drejtoria e QSU, që për 4 ditë ta bëjë këtë gjë. Gjasat janë të shumta, që edhe në muajt e parë të 2009 pacientët të mbeten pa ilaçe. Aktualisht për shkak të krizës tashmë të vjetër që ka përfshirë QSU, laboratorët nuk kryejnë pjesën më të madhe të analizave. Kjo për shkak të mungesës së kiteve e reagentëve. Një tjetër kategori të sëmurësh, që po vuajnë pasojat e ngecjes së tenderëve janë edhe të sëmurët me kancer. Citostatikët (medikamentet e nevojshme për kimioterapinë) duhet t’i blejnë me paratë e tyre. Kjo, ndonëse vetëm një cikël i thjeshtë kushton mesatarisht 20 mijë lekë. Me pikatore është furnizuar edhe Kardiokirurgjia. Operacionet e planifikuara kanë shënuar ulje, ndërsa mungojnë edhe një pjesë e ilaçeve.