E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e kazinove, dy të rinjtë nga Peshkopia në dorë të tabulateve

SHKRUAN: Habjon Hasani 18-09-2011 10:02

Gjykata e Tiranës vendosi dje burg pa afat për katër prej të dyshuarve kryesorë si anëtarë të bandës së grabitjes së kazinove, të cilët katër ditë më parë plagosën një agjent special të policisë. Dy bashkëpunëtorët e tjerë të bandës morën masën e arrestit me afat 20-ditor, duke i lënë kohë prokurorisë të mbledhë prova kundër tyre. Grupi i të rinjve të akuzuar për disa grabitje në kryeqytet doli para gjykatës për t'u njohur me akuzat, vetëm pak ditë pas operacionit që përfundoi në shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë. “Dy të plagosurve, Bejo Pasha dhe Miklovan Curraj, ky i fundit në gjendje të rëndë për jetën, nuk iu komunikua akuza në gjykatë, por në spital”,- thanë burime të gjykatës. Pikërisht dy të dyshuarit e plagosur konsiderohen prej prokurorëve të çështjes dhe si “truri’ i bandës. Gjatë caktimit të masës së sigurimit personal me dyer të mbyllura, gjykatësja vendosi të lërë në burg pa afat përveç dy të plagosurve edhe studenten e Shkencave Politike, Jonida Curraj, motra e njërit prej të plagosurve, si dhe të fejuarin e saj Ani Rrapaj. Në lidhje me dy të akuzuarit 20-vjeçarë nga Peshkopia si bashkëpuntorë dhe ndihmës të katër të akuzuarve, gjykata i la vetëm 20 ditë kohë prokurorisë për të vërtetuar pretendimet e saj. Në mungesë të provave të qarta dhe konkrete për dy të akuzuarit si bashkëpunëtorë, prokuroria kërkoi të paktën 20 ditë kohë për të vërtetuar dyshimet e saj nëpërmjet zbardhjes së tabulateve telefonike të të akuzuarve si bashkëpunëtorë. Tashmë, në lidhje me dy të akuzuarit si “informatorë” të bandës do të jenë tabulatet telefonike që do të vendosin “fatin” e tyre, nëse do të qëndrojnë vetëm 20 ditë në burg apo nëse do t’u caktohet një masë më e ashpër, në rast se tabulatet vërtetojnë lidhjen mes tyre dhe grabitësve. Grabitja e fundit që kreu ky grup ishte ajo e një kazinoje në sheshin "Avni Rustemi", ku pati edhe shkëmbime zjarri me policinë. Për pasojë mbetën të plagosur dy anëtarë të grupit dhe një polic. Gjatë publikimit të detajeve të operacionit "Pritja e gjatë", policia publikoi një prej videove që kishte sekuestruar më parë gjatë njërës prej grabitjeve të shumta të grupit. Policia ka sqaruar se prej kohësh kishte nën vëzhgim grupin e përbërë nga katër të rinj nga Tepelena dhe dy nga Peshkopia, të cilët kishin arritur të grabisnin të paktën 14 salla kazinosh dhe lojërash fati në kryeqytet, por edhe disa supermarkete në zona të ndryshme të Tiranës. Policia po hetonte prej të paktën një muaji dhe ishte vënë në ndjekje të këtij grupi të grabitësve.

Si u plagos në operacion agjenti i GOS

Gjatë operacionit të koduar “Pritja e gjatë” pranë sheshit "Avni Rustemi" mbetën të plagosur një efektiv policie dhe dy prej grabitësve, të cilët po marrin mjekimin e nevojshëm në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve të këtij spitali, njëri prej të plagosurve, i cili është grabitësi i dyshuar Miklovan Curraj është në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa dy personat e tjerë, polici Ervin Gjana dhe grabitësi Bejo Pasha janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Ndonëse policia deklaron se i mbante në vëzhgim prej një muaji të dyshuarit, operacioni i ndërhyrjes për kapjen e tyre katër ditë më parë nuk krijoi asnjë avantazh për policinë dhe për pak ndërhyrja rrezikoi të përfundonte në tragjedi për një prej policëve të ekipit GOS, i cili është dhe një ndër ekipet më të specializuara të policisë shqiptare.

Burg pa afat

Bejo Pasha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, i plagosur gjatë aksionit

Miklovan Çuraj, 25 vjeç, lindur në Tepelenë, i plagosur në gjendje të rëndë

Jonida Çuraj, 21 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banuese në Tiranë

Ani Rrapa, 23 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë

Burg me afat 20 ditë

I. Ilnica, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi, dyshuar si bashkëpunëtor

J. Elmazi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi, dyshuar si bashkëpunëtor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›