Dosja “Konomi”, rrethi i konflikteve për pronën ngushtohet në 157 ha
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda përqendrohen te zanafilla prej 2007-s e përplasjes më të madhe mes palëve dhe AKKP-së, për 157 hektarë në Gjirin e Lalzit. Toka ndodhej brenda sipërfaqes së madhe, të fituar në Gjykatë të Lartë nga Konomi dhe ditët para atentatit ai po përpiqej ta hipotekonte
Prokuroria e Krimeve të Rënda ngushton rrethin e konflikteve të pronësisë së gjyqtarit të ekzekutuar të premten e kaluar në Vlorë, Skerdilajd Konomi. Pas sekuestrimit të dosjeve në proces hetimi në prokuroritë e Tiranës dhe të Durrësit, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se përplasja më e madhe mes palëve dhe AKKP-së e ka zanafillën që prej vitit 2007. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 157 hektarësh tokë në Gjirin e Lalzit, e lokalizuar brenda sipërfaqes së madhe, të fituar nga gjyqtari Konomi me vendim të Gjykatës së Lartë. Historia e kësaj prone, e ndodhur e gjitha në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit të Adriatikut, sipas burimeve nga grupi hetimor, ka kapërcyer një mori procesesh gjyqësore, derisa ka “ngecur” në një hetim penal në prokurori. Sipas dokumenteve tashmë të sekuestruara, mësohet se në kallëzimin e tij të dorëzuar në Prokurori, gjyqtari Konomi shprehte shqetësimit se kjo tokë u ishte njohur nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës që prej vitit 2007. Më pas, statusi i kësaj prone ishte komplikuar, pasi zyrtarë të AKKP-së, në një vendim të dytë kanë pohuar se kjo sipërfaqe toke i përkiste bashkëshortes italo-sllave të Miltiadh Shallvarit, Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo dhe jo trashëgimtarëve të tjerë. Nga verifikimet e kryera prej grupit hetimor në zyrat e AKKP-së, rezulton se aktualisht kjo sipërfaqe toke nuk i përket as trashëgimtarëve të Shallvarit, pjesë e së cilëve është edhe babai i Skerdilajdit, Fotaq Konomi dhe as gruas së tij italo-sllave, por trashëgimtarëve të familjes Toptani. Pretendimet para vdekjes të gjyqtarit Skerdilajd Konomi binin mbi falsifikimin e regjistrit të pronave, fakt ky i verifikuar nga hetimi penal që ishte kryer në Tiranë. Shtrirja gjeografike e 157 hektarëve, e ndodhur brenda tokës së madhe, të trashëguar nga Miltiadh Shallvari, ia ka lehtësuar punën hetuesve të kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, rivalët e gjyqtarit Konomi për këtë sipërfaqe toke pretendonin të kundërtën, duke e akuzuar atë po për falsifikim dokumentesh, por edhe për konflikt interesi për shkak të detyrës. Burime të rezervuara pohojnë se nga analizat e kryera rezulton se vendimi i Gjykatës së Lartë i kthente të afërmve të Konomit edhe këtë sipërfaqe toke me pronësi të mbivendosur, çka duket se ka rritur tensionin mes palëve. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe përpjekjet e gjyqtarit 33-vjeçar për të hipotekuar tokën e përfituar me vendim gjyqi. Hetimet tregojnë se vetëm 3 ditë para atentatit në qendër të Vlorës, Skerdilajd Konomi kishte qëndruar disa orë në Hipotekën e Durrësit, me synimin e regjistrimit të tokës së fituar me vendim të formës së prerë. Të gjitha këto dyshime janë tashmë pjesë e dosjes që ndodhet në duart e hetuesve, të cilët janë fokusuar në çështjen e komplikuar të pronave, për të zbardhur atentatin me eksploziv që i mori jetën Konomit.
Atentatorët e Konomit, hetimet fokusohen në Durrës
Prokuroria e Krimeve të Rënda po ndjek dy linja për zbardhjen e atentatit të Konomit, atë të motivit dhe ekzekutorëve me pagesë
Hetuesit rikthehen në vendin e konfliktit, me synimin e gjetjes së ekzekutorëve të Skerdilajd Konomit. Burime nga grupi hetimor bënë me dije për MAPO-n se hetimet për zbardhjen e atentatit të gjyqtarit janë fokusuar në qytetin e Durrësit. “Hetimet janë përqendruar në Durrës dhe personat që ne mendojmë se janë të dyshuarit kryesorë të kësaj vrasjeje janë po ashtu të përqendruar në Durrës. Ka patur disa të dhëna operative, të cilat janë kryqëzuar mbi këta persona në qytetin e Durrësit e në këtë linjë po hetojmë”,-tha një burim i rezervuar nga grupi hetimor. Të njëjtat burime nga Prokuroria u shprehën se deri në këtë moment të dhënat mbi këta persona janë operative dhe se më tepër detaje do të jepen vetëm në rast të një evidentimi më të qartë të provave për ta, duke shtuar se të dyshuarit në Durrës kanë lidhje dhe me konfliktin e pronave të Skerdilajd Konomit në Gjirin e Lalzit. Nga ana tjetër, prokurorët dhe policia e Vlorës janë duke pritur dhe rezultatet shkencore të analizave të pjesëve të mbetura të shpërthimit të lëndës eksplozive, për të parë mundësinë e ndonjë ngjashmërie të kësaj lënde eksplozive me të tjera raste shpërthimesh me autobombë të ndodhura në qytetin e Vlorës. Hetuesit nga ana e tyre dyshojnë se në Vlorë mund të jetë ndonjë grup i sprovuar në atentatet me eksploziv dhe në këtë drejtim policia e Vlorës ka marrë detyrë për të punuar për mbledhjen e sa më shumë të dhënave mbi ndonjë punishte apo grup personash që mund të jenë të investuar në këtë aktivitet, si një ndër mënyrat për të zbardhur ngjarjen e vrasjes së gjykatësit, duke u nisur nga ekzekutorët. Ditën e djeshme burime policore nga qyteti i Vlorës pranuan se po punohet në këtë drejtim, por nuk hodhën poshtë dyshimet se lënda shpërthyese të jetë porositur jashtë Shqipërisë dhe vrasësit të kenë qenë “delegatë” dhe jo operativë në zonën e Vlorës. “Ngjashmëria mes auto-bombës që vrau Skerdilajd Konomin dhe rastit të mëparshëm në Vlorë është përdorimi i tritolit si lëndë shpërthyese. Për këtë arsye, policia e Vlorës aktualisht është investuar tërësisht në gjurmimin e ndonjë grupi që ka aftësi në përdorimin e këtyre lëndëve, ndërsa orientimi për gjetjen e bazave të mundshme në Vlorë të prodhimit të minave me celular ka ardhur nga prokurorët e Krimeve të Rënda, që drejtojnë hetimet. H.Hasani