Njerëzit e akuzës, milionat e kursyera nga rrogat gjatë vitit 2010
Tiranë- Prokurorët më të njohur të Tiranës kanë preferuar të kursejnë, më shumë se sa të shpenzojnë, gjatë vitit 2010. E jo pak, por miliona lekë u janë shtuar llogarive të tyre të kursimeve, sipas asaj që kanë deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Pasurive. I pari në listën e prokurorëve kursimtarë është drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj. Gjatë viteve 2009-2010, ai së bashku me bashkëshorten kanë mundur të kursejnë 6.5 milionë lekë të reja, të cilat ia ka dhënë borxh të vëllait, pa interes. Të ardhurat kryesore në familjen Malaj rrjedhin prej aktivitetit privat të bashkëshortes së tij, e cila zotëron një klinikë dentare. Nga ana tjetër, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës ka vazhduar të shlyejë këstet për apartamentin e marrë me kredi. Ndryshe nga eprori i tij, zv.drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Elio Mazreku, ka preferuar të shpenzojë një shumë të majme parash në pasuri të patundshme. Ai ka blerë një apartament të bollshëm 3+1 për më shumë se 15 milionë lekë të reja në Tiranë. Ka qenë kjo arsyeja që një pjesë e mirë e llogarive bankare të Elio Mazrekut janë rrudhur gjatë vitit të shkuar, e megjithatë, prokurori ka ende kursime nga puna e tij dhe e bashkëshortes. Zëvendësprokurorja tjetër e kryeqytetit, Marjeta Zaimi, ka mundur gjithashtu të kursejë rreth 950 mijë lekë për vitin 2010, si pasojë e të ardhurave shtesë nga trajnimet dhe interesat bankare. Në Prokurorinë për Krimet e Rënda, zv.drejtuesi i kësaj Prokurorie, Henrik Ligori, ka raportuar pakësimin me 52 mijë euro të të ardhurave, para këto që kanë shkuar për shlyerjen e kësteve të kredisë bankare. Për këtë arsye, prokurori Ligori ka mundur të kursejë vetëm 1 milion lekë të reja gjatë vitit të shkuar. Nga ana tjetër, drejtuesi i prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ka kursyer 1.3 milionë lekë gjatë vitit 2010, ndërsa një tjetër prokuror i Tiranës, Genci Qana, 250 mijë lekë plus 6 mijë euro. Në radhën e kursimtarëve të prokurorisë, i fundit vjen Kosta Beluri, i cili gjatë vitit të shkuar ka mundur të përfitojë vetëm 150 mijë lekë të reja nga interesat e parave të investuara në Bono Thesari.