E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda” e të katërve

Skënder Minxhozi 

Historikisht ky term të kujton Revolucionin Kulturor në Kinë, kur e veja e Mao Ce Dunit bashkë me tre bashkëpunëtorë të saj në parti, u dënuan menjëherë pas vdekjes së liderit historik komunist. Në pamje të parë një precedent i tillë i radikalëve maoistë, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e sotme dhe ato që po ndodhin aktualisht rreth nesh.  Gjithsesi edhe shifrat kanë nganjëherë ngjashmërinë dhe domethënien e tyre  Një bandë virtuale, imagjinare, natyrisht një grupim “antiparti” duket se është krijuar edhe këtu, ose është në krijim e sipër. Fjala është për Moisiun, Sollakun, Topin dhe Ramën. Shumë të ndryshëm, por edhe shumë të ngjashëm aktualisht. Dy të parët të shpallur prej kohësh si simbol i të keqes, dy të dytët që po e marrin ngadalë të njëjtin status. Elementi që i bashkon këto dy breza shtetarësh?! Marrëzia politike e Shqipërisë së vitit 2008.
Dy kryetarë shteti dhe dy kryeprokurorë janë sot një model negativ dhe për t’u luftuar, sipas shijeve të atyre që drejtojnë aktualisht vendin. Berisha dhe Topalli kanë krijuar artificialisht, me arrogancën dhe imponimin e tyre prej “revolucioni kulturor”, një “gogol” imagjinar me katër koka, i cili shtrihet prej pesë vjetësh nga selia e Presidencës, drejt e në organin e akuzës. Në këtë hark ndodhen, sipas logjikës së mbrapshtë të krerëve të maxhorancës, personat dhe institucionet që po i bëhen barrierë vrullit të tyre jakobin për të kontrolluar shtetin. Kësisoj, kryqëzata anti-institucionale e nisur pas vitit 2005 kundër Moisiut e Sollakut, e cila u kujtua e mbyllur me zëvendësimin e këtyre të fundit, duket po rimerr një hov të ri absurd, këtë radhë me protagonistë të rinj në shënjestër.
Cilat janë në fakt kusuret e Bamir Topit dhe Ina Ramës, për të marrë në këmbim trajtimin që po marrin? Presidenti nuk u konsultua fare kur u ndryshua kushtetuta, ai nuk po përfillet as tani, kur sipas ligjit dhe rregullave po paraqet në Kuvend një listë kandidaturash për Gjykatën e Lartë. Nga ana e saj, Ina Rama aktivizoi dhe hapi disa dosje të sikletshme, të cilat kishin mbetur të mbyllura ose më mirë “të fjetura”, siç e ka pasur për zemër t’i quajë zoti Berisha. Ndër to, ajo e rrugës Durrës-Kukës, ngjarja e Gërdecit, rrëmbimi i Remzi Hoxhës apo edhe procedimi penal ndaj një kreu të policisë. A janë këto hapa tërësisht ligjorë dhe institucionalë, kapsolla që shpërtheu inatin e shumicës? Mesa duket janë të tilla, përderisa si ndaj presidentit, ashtu edhe ndaj kryeprokurores, shohim të njëjtin aksion politik të organizuar, që kërkon t’u sabotojë nismat që ata kanë ndërmarrë nga pozicionet respektive.
U kujtua një vit më parë se mandati Topi dhe ai i kryeprokurores Ina Rama do të përbënin një thyerje në raport me paraardhësit e tyre, e kjo për shumë arsye. Së pari, sepse dy zgjedhjet e mësipërme u përkisnin kryekëput demokratëve, d.m.th vetë Berishës. Së dyti, sepse siç është e natyrshme, dy kryetarë shtetesh kanë profilet, stilin dhe linjën e tyre institucionale e politike. Po ashtu edhe krerët e Prokurorisë, sidomos kur fjala është për të krahasuar një person si Sollaku, tejet të sulmuar, me pasardhësen e tij, e cila u krahasua në mënyrë aspak dinjitoze dhe elegante, me gjithfarë heroinash nga serialet televizive.
E pra, sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, siç thotë fjala e urtë. Gjendemi sot përballë një situate në kufijtë e komikes, kur Berisha për të disatën herë (e katërta, për të qenë të saktë), anatemon ata që fillimisht i ka pranuar dhe i ka votuar. Duke i dhënë formë në këtë mënyrë një liste, bande a më mirë, një “grupi armiqësor”, i cili mund të quhet i tillë vetëm nëse shihet me lentet e deformuara të kryeministrit.
Tashmë as Livia Konti (kupto Ina Rama), as presidenti i parë që s’ka asnjë lidhje me regjimin e vjetër (kupto Bamir Topi), nuk janë më të përshtatshëm sipas logjikës zyrtare. Në të kundërt, në trajektoren e një viti kalendarik ata e shohin veten përballë partisë në pushtet, pikërisht siç e panë para tyre Moisiu e Sollaku. Të vjen të pyesësh përballë kësaj tabloje abstrakte më së paku për përgjegjësinë politike që duhet të ndjejë maxhoranca e djathtë, për votimin dhe përkrahjen që u pati dhënë një herë e një kohë këtyre katër figurave që fillimisht ishin të bardhë e më pas u bënë të zinj, që fillimisht ishin konsensualë, të zotët, të pavarur etj., etj., e më pas u bënë “pengesë” e funksionimit të shtetit. Kjo metamorfozë e panatyrshme zbulon një hipokrizi të madhe. Je president i mirë derisa të jesh një shtojcë e imja, je prokurore e mirë derisa nuk më ke prekur mua – ky është morali i fabulës Topi-Rama, që ka futur në krizë shtetin. Dhe ky në fakt nuk është një konflikt i thjeshtë institucionesh. Ky është një konflikt mes mentalitetit të ndryshkur të një pjese të politikës, që kërkon të marrë nën sqetull shtetin nga njëra anë, dhe trendit të natyrshëm që e çon Shqipërinë drejt normalitetit demokratik e institucional. Topi e Rama janë ndoshta dy ndër garancitë e fundit që të mos triumfojë e para, por e dyta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›