E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gati amnistia fiskale për bizneset”

Ministria e Financave po bën gati draftin për t’i dhënë amnisti fiskale bizneseve, sipas disa kushteve të përcaktuara paraprakisht. 

Këtë e bëri të ditur dje këshilltarja për ekonominë, e kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ajo flet edhe për efektet e nismës “Shqipëria një euro” dhe centralin bërthamor.
Çfarë ka përfituar Shqipëria nga nisma “Shqipëria 1 euro”?
Kjo nismë i ka dhënë tashmë rezultatet e saj. Kuadri ligjor i saj është përfshirë në ligjin e Koncesioneve dhe kjo u arrit, sepse ligji i Koncesioneve u ribë i konceptuar në bazë të standardeve evropiane dhe i asistuar nga kompani dhe agjenci të tuaja. Në këtë ligj u mendua të përfshihej edhe nisma “Shqipëria 1 euro”, edhe për arsyen se, duke qenë se në këtë nismë përfshiheshin asete publike, duhej bërë edhe mbrojtja e tyre. Nisma bëri një efekt shumë të madh nxitës dhe tërheqës për investitorët e huaj. Ajo përfshiu një sistem avantazhesh për investitorët. Pati një paketë avantazhesh që konsistonte në dhënien e tokës me 1 euro, por bëhej fjalë për tokat pa vlerë, të ndodhura në vende që as nga ana private as nga ana shtetërore nuk i ishte dhënë vlerë përdorimi. Në sajë të kësaj nisme, në vende që më parë nuk shkelte këmba e njeriut tani po ndërtohen fabrika. Të gjitha fabrikat e çimentos janë dhënë me nismën 1 euro.
Sa e suksesshme është kjo nismë?
Është shumë e suksesshme. Fabrika e “Titan” ka filluar të ndërtohet dhe përfundon për pak muaj. Përveç të tjerash janë punësuar edhe shumë njerëz. Është fabrika e çimentos e italianëve afër Lezhës. Një tjetër element pozitiv i kësaj nisme është se këto kompani kanë lidhur partnership me kompanitë shqiptare. Po kështu edhe fabrika tjetër që po ngrihet nga libanezes. Në miniera gjithashtu. Minierat e vjetra të lëna jashtë përdorimit në gjithë këto vite dhe të pa kërkuara nga tregu, po hidhen në tender me 1 euro për t’i dhënë me koncesion. Interesi është gjithashtu shumë i madh. Nisma është aplikuar në bujqësi, në agrikulturë. Janë dhënë tokat për përdorim për t’u kthyer në vreshta, në pemë frutore. Ka qenë tokë e papërdorur. Gjithashtu, kemi fabrikat e vjetra, të cilat s’kanë probleme pronash si UMB e Durrësit apo edhe tek ish-autotraktorët.
Për çfarë aktiviteti?
Njëra është për pjesë këmbimi plastike, ndërsa tjetra është për pjesët e këmbimit që prodhohen për reaktorët, është kompani në fushën bërthamore, por pjesë këmbimi që s’ka rëndësi nëse janë për traktorë apo reaktorë.
Po përse në Shqipëri?
Pjesë e nismës 1 euro ishin edhe një sërë lehtësirash që ne filluam të aplikojmë me administratën dhe procedurat. Konkretisht është ‘one stop shop’, e cila ka fshirë tërësisht të kaluarin e radhëve. Në këtë qendër po përfshijmë edhe licencat. Një pjesë e shërbimeve nuk duan licenca, kurse të tjerat do të ngelen në ‘one stop shop’. Gjithashtu, është reforma fiskale që ne kemi ndërmarrë, që tërheq shumë investitorë. Ne kemi kaluar në filozofinë, që të rrisim të ardhurat në buxhet, e i japim shtysë ekonomisë nëpërmjet uljes së taksave.     Taksa mbi të ardhurat personale u ul nga 25 në 20 dhe tani është në 10%. Kjo bën që bizneset të largohen nga rruga e informalitetit dhe fshehjes së të dhënave.
Shumë biznese kanë punuar në të zezë, i janë shmangur taksave. Do ketë amnisti fiskale?
Është diskutuar. Po punon Ministria e Financave. Por aty kuptohet ka gjithmonë ‘por’ dhe kushte. Do të ketë shumë përfitime. Do ketë të bëjë me borxhet e këqija, ata të pagjeturit. Do përfitojnë ata që s’kanë bërë krime.
Thatë që ne e kemi më të mirë anën fiskale. Pse një investitor duhet të vijë në Shqipëri?
Përveç ambientit të biznesit që ne e kemi përmirësuar, Shqipëria është një vend me burime natyrore. Kemi minerale, kemi naftë.
Por s’kemi rrugë...
Rrugët ne po i bëjmë. Infrastruktura po zhvillohet. Arteriet kryesore janë në përfundim. Veç të tjerash ne po përqendrohemi edhe te rrugët rurale. Rrugët nuk janë më pengesë. Ne tani po zhvillojmë portet. Ne po punojmë me shpejtësi për të zbutur barrierat burokratike, procedurale për portet. Ka qenë rruga Durrës-Kukës, e cila solli menjëherë impaktin e saj për thellimin e portit ekzistues dhe ndërtimin e porteve të reja. Koncesioni aplikohet shumë bukur te portet.
Bëhet fjalë për investime të huaja?
Gjithmonë flitet për investime të huaja. Deri tani për tre porte kemi 8 projekte. Investitorët tani nuk janë më kalimtarë këtu, por po investojnë. Në çimento jemi më përpara. Kompanitë e ardhura para 2 vjetësh tani kanë filluar punon. Gjithashtu, edhe në miniera. Gjithashtu, kemi edhe transferim aktiviteti nga një vend tjetër në Shqipëri. Italianët kanë ardhur me prodhim veshjesh dhe këpucësh. Nga Japonia ka ardhur “Panasonic” dhe “Marubeni”, kompani për minierat.
Përsa i përket kromit, ne nuk kemi porte...
Kjo ka sjellë që në mënyrë të natyrshme të rriten kërkesat për porte. Ne duke qenë se buxhetin e kemi të përqendruar në rrugë, kemi kanalizuar nëpërmjet reformave të bëra bizneset private të zhvillojnë sektorët e tjerë. Deri tani kanë ardhur kërkesa nga Dubai, Izmiri, Spanja, Italia që kanë sjellë projekte për marrje me koncesion të ndërtimit të porteve. Për sa i përket hidrocentraleve, kemi edhe këtu shumë projekte. Për kaskadën e Vjosës janë tetë projekte njeri më i mirë se tjetri. Ka një lloj vonese këtu, sepse jemi munduar të jemi transparentë dhe të mbajmë projektin më të mirë teknik, që na garanton shfrytëzimin e lumenjve dhe ambientin.
Kalojmë pak tek energjia. Kompania zvicerane EGL që do të bëjë gazsjellësin nga Irani, ishte e vetmja kompani që nuk pyeti për embargon amerikane ndaj Iranit, ndryshe nga një kompani angleze dhe vendosi ta bëjë në Iran. Shqipëria duke qenë vendi më pro amerikan, ka ndikime politike në këtë rast?
Janë disa projekte gazsjellësish, dy prej të cilëve e anashkalonin Shqipërinë, jo pa qëllim, pavarësisht rruga më e shkurtër dhe më ekonomike ishte që të kalonte përmes vendit tonë. Për këtë u lobua shumë dhe është marrë premtimi për një degëzim. Gazi nuk vjen dot nga vendet rrotull kështu që, ata që ndërtojnë gazsjellës, ata sigurojnë edhe burimet e gazit. Veç kësaj është ASG dhe TEE që po punojnë për të njëjtin qëllim.
Po AMBO?
Si për AMBO-n dhe projektet e tjera ne kemi lobuar që të kalojë në Shqipëri. Ne kemi miratuar pjesën tonë të gjurmës, por nuk varet nga ne, sepse investimin e bën privati. Të gjitha janë shumë afër prekjesh.
Po përsa i përket centralit atomik si kanë shkuar negociatat?
Nga pikëpamja e ambientit është më ambientalisti, më i pastri. Është një proces afatgjatë. Duhet kuadri ligjor dhe një sërë marrëveshjesh që duhen nënshkruar dhe ratifikuar. Akoma s’kemi bërë marrëveshje për ndërtimin e këtij centrali.
Ka pasur reagim negativ?
Shtypi ka dhënë reagim nga Greqia, por jo më vonë se pak ditë më parë Greqia është shprehur pro ngritjes së centralit bërthamor.
Është përcaktuar vendi ku do ndërtohet?
Vendi nuk është përcaktuar akoma, pasi përcaktimi i vendit është faza kur ti hyn në bisedime konkrete, kur dhe si do ta ngrejë centralin. Ne ende s’jemi në këtë fazë. Patjetër që do jetë afër ujit, pasi përdoret për ftohjen e ujit, por kjo s’do të thotë që do jetë domosdoshmërisht në breg. Por nuk mund të thuhet se nuk do punojnë shqiptarë, mund të punojnë shqiptarë të specializuar. Përgjegjësia do të jetë e kompanisë dhe qeverisë, kurse certifikimin do ta bëjë kompania që ka licencën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›