E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, mbarojnë ilaçet në spital

Spitali “Nënë Tereza” ka ilaçe vetëm për 3 javë. Më tej nuk dihet si do t’i shkojë filli pacientëve. 

zirina llambro

Alarmi është ngritur prej kohësh por duket sa tashmë situata ka prekur fundin. “Në gjendje kemi medikamente vetëm për më pak se një muaj. Kemi që në shkurt që kemi vënë në dijeni ministrinë, por prej saj nuk është bërë asnjë tender”, sqaron drejtori i QSU, Mati Pepa. Por më shqetësues sipas Pepës, është fakti që edhe sikur procedurat tenderiale të nisin sot duhen plot dy muaj e gjysmë që të mbërrijnë në farmacinë e QSU. “Nuk dihet si do ta zgjidhë Ministria e Shëndetësisë këtë problem, por gjendemi përpara një fakti të kryer”, shton Pepa. Ndërkaq burime nga drejtoria e spitalit pohuan për gazetën se, këto ditë drejtori i prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandër Lipivani, ka dhënë dorëheqjen e për rrjedhojë puna ka mbetur pezull. Nuk dihen cilat janë arsyet e dorëheqjes së Lipivanit, por sa të vendoset drejtori i ri puna për procedurat tenderiale mbetet pezull. Zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë mohon vonesat me tenderat. Madje, akuzon drejtorin Mati Pepa që po inskenon gjithçka për shkak të konfliktit të krijuar me ministrin. “Procedurat tenderiale kanë nisur dhe ne presim të përfundojnë shumë shpejt”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkaq kaotike është gjendja në spital. Mungesat janë të shumta në të gjitha pavijonet. Pacientët blejnë vetë thuajse të gjitha ilaçet. Në disa shërbime edhe sikur të ketë ilaçe në gjendje, përgjigjja që marrin të sëmurët është “Jemi në krizë, s’janë bërë tenderat”. Stafi i mjekëve shprehet se, ka mungesa të medikamenteve, por pranon se me to edhe po abuzohet nga një pjesë e bluzave të bardha apo dhe drejtuesve të QSU. Në të dyja situatat vetëm të sëmurët duhet të përballojnë hallin që i ka zënë, qoftë edhe me para borxh. Më problematike situata bëhet në sallat e operacioneve, ku mungojnë materialet e anestezisë e antibiotikët. “Janë medikamente të shtrenjta, por s’kemi ç’bëjmë, s’ka rrugëzgjidhje tjetër, ose duhet të shtyhet operacioni, ose t’i blejnë vetë pacientët”, theksojnë mjekët.
Kurseni!!
Në pavijonet e QSU-së që prej disa javësh drejtoria ka urdhëruar të përdoren ilaçet e materialet mjekësore me kursim. Kriza që ka përfshirë spitalin që nga fillimi i vitit ka arritur në pikën kulmore. Sipas drejtuesve të QSU-së, deri tani nevojat janë plotësuar nga ndihmat e donatorëve të ndryshëm dhe nga blerjet e vogla që lejon ligji. Për këtë situatë është vënë në dijeni edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Duhet që të merren masa emergjente, pasi edhe pse po arrijmë në mes të qershorit nuk është bërë asnjë tender për medikamentesh”, tha Pepa. Ai nënvizoi se, ka nisur në ministri disa shkresa rresht, ku ka bërë me dije se spitali më i madh në vend mund të vihet në vështirësi për medikamente. “Shkresa e parë ka qenë që më datë 22.2.2008. Më pas në datën 04.04.2008, në një tjetër shkresë i kemi kërkuar ministrisë të marrë masa duke hapur procedurat tenderiale, por nuk u bë asgjë”, u shpreh drejtori. Që prej një viti e gjysmë shëndetësia shqiptare mund të quhet e dështuar për investime. Për 2007-ën u dogjën 6 milionë dollarë fonde nga buxheti i shtetit. Kjo, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk e pa aspak të arsyeshme që të realizonte tenderat për blerjen e aparaturave të reja mjekësore për spitalet. Vetëm për qendrën spitalore “Nënë Tereza” ishin planifikuar 2 milionë dollarë lekë, të cilat do të përdoreshin për blerjen e pajisjeve të shtrenjta si skaneri, apo rezonanca. Por gjithçka dështoi. Përveç fjalëve në erë që janë thënë shpesh nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, asnjë përgjigje konkrete nuk është dhënë për arsyet pse u dogjën këto fonde. Por ndërsa spitali mund edhe t’ia dalë pa aparatura të reja, pa ilaçe mjekët nuk mund të bëjnë asgjë për të ndihmuar të sëmurët.

S’ka para as për dezinfektantët

Jo vetëm që nuk kurohen por ka rrezik të marrin edhe një sërë infeksionesh. Spitali më i madh në vend është përtokë. Nuk ka para të blejë as dezinfektantë për shërbimet. Ato lahen vetëm me ujë. Shkaku është gjithmonë i njëjtë. Nuk janë bërë tenderat. Gazeta ka publikuar disa muaj më parë këtë lajm, por që asokohe gjendja vetëm sa është rënduar. Drejtoria u mundua ta fshehë të vërtetën, por tashmë ka dalë hapur e pranon mungesat. As në vendet që jetojnë në kushte primitive nuk bëhet fjalë që spitalit më të madh në vend t’i mungojnë dezinfektantët. Higjiena sanitare ka qenë problematike në QSU edhe kur nuk mungonin. Tanimë të vjen ndot të shkelësh në spital, pasi mund të marrësh peshqesh lloj-lloj mikrobesh. Edhe në shërbime prioritare si Infektivi ku sëmundjet mund të kalojnë nga një person tek tjetri, nuk është bërë asgjë për të përmirësuar kushtet e higjienës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›