E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda ekzekuton dy shqiptarë

Dy emigrantë shqiptarë në Itali janë ekzekutuar nga pesë persona të armatosur, që dyshohet se janë pjesëtarë të bandave kriminale që kontrollojnë trafikun e drogës në Kaserta. 

KASERTA/ITALI

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin italian Kaserta, në verandën e një lokali të quajtur "Kubana Club". Lajmi është bërë i ditur nga policia italiane dhe është publikuar nga mediat vendase. Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka filluar menjëherë hetimet. Pista e parë është ajo e larjes së hesapeve për shkak të trafikut të drogës në këtë qytet. "Nga të shtënat e armëve kanë mbetur të vdekur në vend shtetasit Zyber Dani, 40 vjeç dhe Artur Kazani, 36 vjeç", bën të ditur agjencia e lajmeve "Kataweb". Hetimet e para bëjnë me dije se, ngjarja mund të ketë qenë e programuar që më parë dhe dyshohet se krimi është kryer për larje hesapesh. Policia, e mbërritur në vendin e krimit ka njoftuar se kanë qenë 5 persona, ende të paidentifikuar që kanë qëlluar me armë, me breshëri ndaj dy shqiptarëve. Pas ekzekutimit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i atentatit. Mësohet se Artur Kazani ka qenë një person në kërkim, pasi dyshohet për trafik droge ndërsa viktima e dytë hetohej për implikim në një aktivitet të tillë. Gjithsesi këto janë të dhënat paraprake që publikohen nëpërmjet mediave, ndërkohë që grupi hetimor po heton për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.
Hetimet
Nga të dhënat e para hetimore të policisë italiane pohohet se, ngjarja e rëndë që u mori jetën dy shqiptarëve klasifikohet të jetë një atentat i pastër mafioz. Sipas policisë së rajonit të Kasertës, e cila ka analizuar provat e gjetura në vendngjarje si dhe dëshmitë e personave të shumtë, dëshmitarë okularë të krimit të rëndë, gjithçka mendohet se ishte e mirorganizuar. Pesë personat e armatosur kanë pasur informacion paraprak për lëvizjen e dy viktimave, ndaj të cilëve kanë qëlluar menjëherë sapo kanë hyrë në lokal. Ndërkohë, një fakt tjetër që bën të dyshohet për atentat të mirorganizuar është edhe fakti që pesë personat e  maskuar që kanë qëlluar ndaj dy shqiptarëve, janë larguar vetëm pasi janë bindur se i kanë vrarë dy viktimat. Gjithashtu edhe fakti se 36-vjeçari ishte skeduar të ishte implikuar në trafiqe dhe shpërndarje narkotikësh, është një arsye tjetër që policia italiane që po heton këtë ngjarje, të ngrejë pistën e ekzekutimit të tij për larje hesapesh midis grupeve rivale, apo për ndonjë borxh të pashlyer. Ende nuk dihet se në ç'pozicion ka qenë viktima tjetër Zyber Dani, i cili u vra bashkë me Kazanin. Pas hetimeve paraprake të policisë së Kasertës, ai ka rezultuar të mos jetë përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Ngjarja
Ndërkohë dëshmitë e para të marrë në vendin e ngjarjes kanë sqaruar se dy shqiptarët ndodheshin të ulur në tavolinë, dhe krejt të qetë po konsumonin pijet e porositura, kur atentatorët kanë hyrë brenda verandës së lokalit për të derdhur breshëritë e pesë armëve ndaj tyre. Këto dëshmi kanë bërë që të rrëzohet pista e vrasjes për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm çasti, midis viktimave dhe autorëve. Për më tepër dy shqiptarët mësohet se kishin vetëm pak minuta që ndodheshin në lokal, ku kishin mbërritur me një automjet të tyre. Ndërsa atentatorët kanë mbërritur aty vetëm pak minuta më vonë, siç duket të mirinformuar. Ata kanë zbritur nga një makinë dhe me të shpejtë janë drejtuar nga viktimat e tyre. Pas kësaj ata janë larguar me vrap, duke mos lënë gjurmë në vendngjarje. Policia e mbërritur në vendin e krimit ka mbledhur provat e pakta dhe ka marrë dëshmitë e personave që ndodheshin aty. Pas krimit të rëndë trupat e pajetë të dy shqiptarëve janë dërguar në morgun e qytetit, ku do i nënshtrohen autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.           fa.ma.

Atentati mafioz, i programuar
Grupi prej pesë personash, të cilët qëlluan me breshëri armësh në drejtim të shqiptarëve, ka qenë i mirinformuar për vendqëndrimin e viktimave. Vrasësit besohet se kanë vepruar për llogari të grupeve kriminale, që kishin hyrë në konflikt me shqiptarët për shkak të mosmarrëveshjeve dhe larjes së hesapeve lidhur me tregtinë e lëndëve narkotike.

Trafiku i drogës, pista kryesore
Jo vetëm mënyra si kanë vepruar pesë autorët e vrasjes së shqiptarëve, por edhe fakti se njëri prej tyre ishte në kërkim për trafik droge kurse tjetri hetohej për një krim të tillë, e kanë bërë këtë aktivitet dhe mosmarrëveshjet për këtë shkak, si pistën kryesore të hetimeve të policisë, kjo e fundit beson se pas atentatit fshihet një grup i fuqishëm kriminal.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›