E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ndihmë për ata që krijojnë sera me diell

"Ne duhet të përcaktojmë skemën e një ndihme të qeverisë për çdo dynym serë dielli, ashtu siç e bëjmë me të drejtë edhe për çdo dynym vresht". 

Kjo ka qenë direktiva e Berishës për Ministrinë e Bujqësisë gjatë mbledhjes së djeshme. Sipas tij, në zonën kodrinore janë ngritur masivisht sera, çka do të thotë rritje të madhe të prodhimit në këto zona, që mund të jenë të pasura në vreshtari, por jo në prodhim perimesh. "Rritja e prodhimit duhet parë në korrelacion me eksportin, që do të thotë se duke ndihmuar në fuqizimin e serave, ne nxisim njëkohësisht rritjen e eksporteve shqiptare. Ne duhet të nxisim zhvillimin e tyre. Nuk ka vend tjetër që të ketë prodhime më të shijshme se prodhimet bio të fermerëve shqiptarë, të pakrahasueshme me prodhimet sintetike, me mutacione gjenetike". Kryeministri theksoi se, përfundimi i rrugës Durrës-Kukës do të ketë një ndikim të madh në rritjen e eksportit të këtyre produkteve. "Këtë vit, eksporti i perimeve është dy herë më i madh se vitin e kaluar. Vitin e ardhshëm, me ndërtimin e rrugës, eksportet do të jenë absolutisht tre herë më të mëdha, sepse e gjithë Myzeqeja është pothuaj një muaj para Kosovës në prodhimet e saj." Sipas Berishës, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit është dyfishuar në vlerë (leku) dhe është mbi dyfishuar në ton, eksporti i perimeve shqiptare, si dhe ka një rënie dramatike të importit të perimeve. "Ndaj dua të sjell në vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë se duhet të bëhet një përpjekje e dytë e madhe për inkurajimin e mëtejshëm të eksportit të produkteve bujqësore", u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›