Banda shqiptare e drogës në Itali drejtohej nga burgu
Një i burgosur “VIP” në Shqipëri jepte urdhrat për tridhjetë e pesë “vartësit”
Superbanda shqiptare e trafikut të drogës që është shkatërruar dy ditë më parë në Itali drejtohej nga një i burgosur në Shqipëri. Një nga agjentët e Policisë së Firences në Itali ka deklaruar se banda vepronte në disa rajone, ndërsa urdhrat i merrte nga një person që ndodhet në qelitë e paraburgimit në Shqipëri. Personi që është arrestuar në Shqipëri, sipas policisë italiane, ishte një sipërmarrës biznesi dhe kishte arritur të ndërtonte disa prona të paluajtshme. Dyshohet se këto prona i kishte vënë nga aktiviteti kriminal, ndërsa do të hetohet në Shqipëri për pastrim parash. Dy ditë më parë, policia italiane ka shkatërruar një rrjet shqiptar që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të quajtur “Santo Gral”, policia italiane, në bashkëpunim me seksionin e antidrogës së Firences, arrestuan 35 persona me akuzën “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe organizim të grupeve kriminale. Sipas të dhënave të policisë italiane, organizata që drejtohej nga shtetas me origjinë shqiptare ushtronte veprimtarinë e saj jo vetëm brenda kufijve italianë, por ishte edhe jashtë tyre si në Holandë dhe Spanjë. Gjatë kontrollit të bërë të 35 personave të arrestuar, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 227 kg lëndë narkotike (kokainë, heroinë dhe marijuanë), gjithashtu 4 pistoleta, 176 fishekë dhe 8 automjete që i shërbenin grupit për të kryer aktivitetin. Lënda narkotike e sekuestruar kap vlerën e 20 milionë eurove dhe sipas grupit të hetimit ishte bërë gati për t’u shitur në zonat që organizata kishte nën kontroll.
#