Mjeku: Dritan Dajti mund të paraqitet në gjykatë me karrocë
Procesi
Gjykata e Krimeve të Rënda ka verifikuar gjendjen shëndetësore të Dritan Dajtit, pas dy mungesave të tij në seanca gjyqësore. Mjeku i urdhëruar nga gjykata ka paraqitur një raport, sipas së cilit, autori i masakrës së 7 gushtit në Durrës mund të paraqitet në gjykatë vetëm me karrocë invalidi. Mjeku i ka rekomanduar gjykatës që Dajti të shoqërohet edhe nga një mjek apo infermiere. Pas leximit të raportit, mbrojtësi i Dajtit ka kundërshtuar të dhënat, duke saktësuar se klienti i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore që të marrë pjesë në seanca gjyqësore, pasi i rrezikohet jeta. Ndërkohë, gjykata ka deklaruar se do të thërrasë të pandehurin të paraqitet në gjykatë duke u bazuar edhe te raporti i mjekëve. Një seancë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e Dajtit për dërgimin e një mjeku në Spitalin e Burgut për ekzaminimin shëndetësor dhe psikik të tij. Vetë i pandehuri Dajti nuk ka marrë pjesë asnjëherë në proces. Trupi gjyqësor, duke parë mungesën në seanca, ka deklaruar se “gjykata e vlerëson mospraninë e Dajtit në proces, si refuzim”, ndërsa më pas ka vendosur mungesën.
#