PS: Fundi i bojkotit, në dorë të Berishës
Partia Socialiste ka bërë të ditur se përfundimi i bojkotit është në dorën e mazhorancës. Sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, tha dje në një konferencë shtypi se “Shqipëria është në krizë dhe në këtë mënyrë është artikuluar dhe nga ndërkombëtarët. Nuk është bojkoti që krijon krizën, por kriza që sjell bojkotin. Bojkoti tashmë është në dorë të Sali Berishës. Kërkesa jonë është e thjeshtë: Shumicën në një komision hetimor parlamentar, të pakushtëzuar në objektin e hetimit, që përfshin hetimin e kutive së bashku me materialet zgjedhore, për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit”. Ndërkaq, deputetja Olta Xhaçka, duke iu kundërpërgjigjur zv.kryeministrit Meta deklaroi se “Paterica e Sali Topallit, pasi shiti 80 mijë votat e shqiptarëve, për t’u ulur në prehrin e plakut Berisha, po tregon çdo ditë e më shumë ankthin e vërtetë të tij. Ilir Meta nuk ka problemin e Kushtetutës, as të ligjit e as të ndërkombëtarëve, pasi ai e di se kërkesat e popullit opozitar janë të ligjshme dhe tashmë të mbështetura dhe nga faktori ndërkombëtar”.
#